Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Ditën e martë, më 19
mars 2013, sëbashku me pjestarë të
stafit të Myftinisë Shkodër po
zhvillonim një tur inspektimesh në disa
nga xhamitë e reja në ndërtim, në zonën
tonë.
Befasia e jonë e madhe, por
njëkohësisht edhe një dhembje e
përsëritur pafund, ishte realiteti i
Xhamisë së Plumbit. E përmbytur, ashtu
si jetime në mes të ujit, Faltorja e
Madhe e Bushatlinjeve të Shkodrës bëhej
dëshmitare (për të panumërtën herë) e
realitetit të përmbytur të TRASHËGIMISË
së Shkodrës, bartësit e të cilës ka kohë
që kanë pranuar të ulin kokën dhe të
jetojnë nën hije...
Xhamia e Plumbit sot, është
dëshmitarja më e mirë se VLERAT dhe
simbolet e tyre në Shkodër, nuk kanë më
asnjë zë që u dëgjohet, ndonëse qyteti
gurtësohet dita-ditës me pedonale bardh
e zi e me festa palaçosh që kërcejnë me
xhinse e pa to, me maska e pa to, të
tërhequr nga një forcë e zezë, që edhe
pse zgërdhihet, mbetet e zezë!
Aty, m’u kujtua një shkrim i vitit
1938. Ndonëse i largët në kohë,
përkthente të njëjtin realitet, që
dëshmohet edhe sot në rrethinat e lagjes,
që dikur dëshmohej si “bajrak i parë”!?
Autori i shkrimit, si të ishte lajmëtar
i realiteteve të sotme të kësaj xhamie
me vlerë, dëshmonte: “... gjithashtu
edhe minareja e kësaj Xhamije mbas pak
kohe shifet se ka me u rëxue mbasi i
kanë ra disa gurë afër sherifes e mbas
tashit âsht frigë me hymë në këtë minare.
Me qenë se Xhamija në fjalë âsht nji nga
ndërtesat aktive mâ të rândësishme të
Shkodrës, âsht detyra e Krye-Myftinisë
së Vendit të marrë masa sa mâ parë për
të meremetue e zbukurue këtë monument”.[1]
Në fakt sot, pasi kanë kaluar shumë
dekada nga momenti i shkrimit të këtyre
fjalëve e, kur përgjegjësia për Xhaminë
e Plumbit dhe zonën përreth saj, të
mbushur me gjurmë traditash dhe kulture
pafund, e ka tejkaluar kufirin e
përkujdesjes së ngushtë, vetëm se në
dyert e Myftinisë Shkodër, realitetet e
dëshmuara vërtetojnë për një tendencë
përmbytëse të kësaj zone... Realisht,
dekadat e periudhës post-ateiste, kanë
vërtetuar më së miri një fakt të hidhur:
atë të neglizhencës së qëllimtë ndaj
kësaj Xhamie dhe shpirtit që ajo bart
dhe mesazheve të ringjalljes që përçon!
Çfarë do të ndodhë pas kësaj dite? A
do të ndryshojë diçka nga ky realitet?
Ajo që mund të them me plot bindje është
se, me përmbytjen e vazhdueshme të
Xhamisë së Plumbit, është përmbytur edhe
fytyra e atyre që duhet të bënin atë që
kanë për detyrë dhe borxh moral e
kombëtar ndaj kësaj Xhamie, para syve
tanë!
Njëkohësisht, ne do të
vazhdojmë të besojmë dhe të kemi shpresë
të madhe në Zotin, që kjo Xhami e
ndërtuar me sinqeritet dhe mjeshtri të
rrallë, nuk do të shuhet as do të tretet,
DO TË NUSËROJË.., jo shumë larg nga kjo
kohë!
[1] THAKA, “Xhamija e Plumbit në zhgatrrim”, në revistën “Zani i Naltë”, viti XIII, shtatuer, 1938, nr. 9, fq. 287.
|