Mbrëmjen e së enjtes,
më 28 shkurt 2013, nëpërmjet ekranit të
Tv1 Channel, teleshikuesit do të kenë
mundësinë të ndjekin bashkëbisedimin që
gazetari Simon Shkreli, në emisionin e
tij “Hapur” ka zhvilluar me Myftiun e
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, rreth
personalitetit të dijetarit të shquar
islam H. Vehbi S. Gavoçi.
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu i
është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të
gazetarit, ku ka hedhur dritë mbi jetën
dhe veprën e Hoxhës së nderuar shkodran
H. Vehbi S. Gavoçi, i cili u nda nga kjo
botë, ditën e martë, më 19 shkurt 2013,
në qytetin Sharika të Emirateve të
Bashkuara Arabe, në moshën 90 vjeçare.
Myftiu ka theksuar se personaliteti
i H. Vehbi S. Gavoçit, është një
argument më shumë i lidhjes së
shqiptarëve me Islamin dhe kulturën e
tij. Kjo edhe për faktin se ky dijetar i
madh, la gjurmë të shquara në dije dhe
urtësi në mbarë botën islame, ku u shqua
për korrektësinë e tij, seriozitetin dhe
thellësinë në dije.
Janë përmendur edhe vlerësimet e
shumta që personalitete islame të botës
kanë dhënë rreth kontributit dhe moralit
të këtij njeriu të madh, që foli me
sjelljen e tij dhe u dëshmua nëpërmjet
moralit dhe dijes.
Gjatë emisionit del në pah
personaliteti i këtij shqiptari të madh,
që ndonëse në mërgatë, asnjëherë nuk e
harroi gjuhën e tij, mallin për
vendlindjen dhe dashurinë e sinqertë për
vëllezërit dhe motrat e tij në Shkodër e
Shqipëri.
Për rreth një orë, teleshikuesi
do të ketë mundësi të kuptojë vlerat dhe
madhështinë e këtij dijetari të shquar
në mbarë botën islame.
|
|