Mbrëmjen e së dielës,
më 24 shkurt 2013, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka ftuar një grup të
rinjsh, në një bashkëbisedim vëllazëror
të hapur me drejtuesin e Qendrës Islame
Shqiptare-Amerikane të Arizonës, Imam
Didmar Faja.
Në fjalën e tij të hapjes, Myftiu ka
theksuar se ky takim është një ftesë
vëllazërore për të zhvilluar një
bashkëbisedim të hapur me Imam Didmar
Fajën, që bart në vetvete eksperienca të
shumta pozitive në shërbim të Thirrjes
Islame, në ShBA.
Myftiu ka sjellur në vëmendjen e të
pranishëmve se gjatë dekadave dhe viteve
të fundit, Thirrja Islame ka njohur një
zhvillim të madh kudo në botë, fakt që
na bën të mendojmë dhe të bindemi se ky
është shekulli i Islamit. Dhe ky fakt, -
ka thënë Myftiu, - është një lajm i mirë
për ne dhe mbarë botën.
Më pas, Imam Didmar Faja ka folur
për disa nga realitetet e Islamit dhe
vlerës së lirisë dhe praktikimit të fesë
islame në Amerikë. Ai ka vënë në
vëmendjen e të ftuarve, se praktikimi i
fesë në Amerikë mbrohet me ligj dhe se
askush nuk ka të drejtë të ndalojë dikë
për të praktikuar fenë e tij, sado që
kjo nuk bie ndesh me rregullat dhe
liritë e të tjerëve atje.
Me shumë kureshtje, të pranishmit
kanë dëgjuar rreth historikut të
themelimit të xhamisë së shqiptarëve në
Phoenix, “Greenway Masjid”, si dhe
aktivitetin në rritje të kësaj qendre të
rëndësishme islame, që ka afruar rreth
vetes edhe besimtarë të shumtë të
kombësive të ndryshme, që bashkëjetojnë
në harmoni me vëllezërit e tyre
muslimanë shqiptarë atje.
Më pas, bashkëbisedimi është hapur
edhe me ndërhyrjet e teologut Ervil Kuçi,
që ka sjellë eksperiencën e tij me
organizimet e muslimanëve shqiptarë në
Firence të Italisë dhe rëndësinë që ka
prezantimi i jomuslimanëve me Islamin
nëpërmjet sjelljes dhe moralit të
muslimanëve në jetën e përditshme.
Po ashtu teologu Lavdrim Hamja ka
folur rreth eksperiencës së tij, si imam
në Wisconsin të ShBA dhe lirinë e
organizimeve islame atje. Në këtë linjë,
Imam Muhamed Sytari ka rrëfyer rreth
lirisë dhe natyrshmërisë së kryerjes së
riteve fetare, si namazi në ambiente të
hapura, të dëshmuara prej tij gjatë
udhëtimit në Arizona, Grand Canion etj.,
duke bërë krahasime me realitete të
ngjashme në Shqipëri.
Të rinjtë e pranishëm kanë bërë
pyetje të ndryshme, rreth së cilave
është zhvilluar një bashkëbisedim shumë
me vlerë dhe me dobi.
Në fund, Imam Didmar Faja ka
folur edhe për bashkëpunimin e xhamisë
me kishën në Amerikë, në shërbim të
njohjes reciproke dhe informimin e
besimtarëve të krishterë me vërtetësitë
e Islamit.
|
|
|