Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Resulull-llahi (a.s),
na kujton se: "Shembulli i dijetarëve në
tokë, është si shembulli i yjeve në
qiell, njerëzit udhëzohen me ta në
errësirat e tokës dhe të detit. Kur të
fiken yjet, kërkuesit e udhëzimit, mund
të humbasin rrugën".[1]
Nuk është e lehtë të përkufizosh
personalitetin e shquar të dijetarit të
madh, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, vepra
dhe misioni i të cilit nderon një komb,
një ymet.
Ai është përkufizuar si një dijetar
me “një ndikim shumë të mirë te
studentët e dijes, të cilët mbajnë për
të, në zemrat e tyre, dashurinë dhe
nderimin, për të mirat që u jep,
materialisht dhe moralisht, duke dhënë
në këtë mënyrë imazhin e shembullit të
lartë e të mirë, për të gjithë ata që e
duan dhe bashkëpunojnë me të, sepse
dijetari punëtor është shembull në këtë
kohë që fjalët janë shtuar dhe punët
janë pakësuar”, siç do të shkruante
kryemyftiu i Sirisë Dr. Ahmed Keftaro.
Hoxha i jonë, është lindur në
Shkodër në qershor të vitit 1923. Ai
është brumosur me besimin, kulturën dhe
qytetarinë e të atit, për të cilin
kujton se: "Prej sifateve të mira që ka
pasë baba, pastë rahmet, ka qenë
mbështetja në veten e tij gjithmonë! Nuk
ka qenë hoxhë, që përkëdhel pasanikët,
apo që afrohet me zyrtarët. Kurrë nuk ka
treguar se ka nevojë për dikë. Ndoshta e
ka ngrënë bukën thatë, ka punuar si
punëtorët, mirëpo kurrë s'e ka ulur
kokën para kujt. Ka qenë me çallëm, me
mjekër, ka qenë imam dhe hatib...
Ka besuar se Zoti të jep, ndërsa
robi është i shtrenjtë dhe nuk të jep,
vetëm nëse e ka caktuar Zoti (xh.sh).
Kemi mësuar prej tij me qenë të
saktë! Nuk e di se baba jonë na ka
gënjyer ndonjëherë, ose ka gënjyer dikë,
ose dikush po thotë se ai po gënjen.
Kemi mësuar prej tij djegien e zemrës
dhe shpirtit, për të mësuar hallkun...”.[2]
Hoxha i nderuar, emigroi nga
vendlindja në moshën 14 vjeçare, për
arsye politike dhe për faktin se i ati
kishte vënë re se Shqipëria po largohej
dita-ditës nga feja dhe besimi.
Në vitin 1947, pas 10 viteve studime
akademike në më të mirin universitet
islam të botës, në atë kohë, “Ez’herin
Sherifë”, Hoxha u kthye në Damask, prej
ku nisi një rrugë të gjatë në mësimin e
njerëzve, në përhapjen e mesazheve të
harmonisë, besimit dhe ruajtjes së
dinjitetit njerëzor me frikën e Zotit
para syve!
Në aktivitetin e tij fetar, ndonëse
larg Shqipërisë dhe Shkodrës, ai
asnjëherë nuk e harroi origjinën e tij,
as e shiti atë, as punoi për të mirën e
vendit të tij për interesa materiale
personale.
Shkruan: “Ndër artikujt e parë që
kam shkruar është edhe "Asal-xhenneh" -
(Shkopi i xhennetit), ku kam shkruar për
Shqipërinë, vuajtjet që keni pësuar ju,
vëllezërit e mi, pas vitit 1944. I pari
artikull i imi ka qenë për ju, për
vendin tim...”.[3]
Ylli i dijes së zotërisë tonë Vehbi
S. Gavoçi, do të shndriste përherë e më
shumë në botën islame, që me botimin e
librave të parë, ku vetëm: “Femra
myslimane”, do të ribotohej 14 herë në
shumë shtete arabe islame. Ai do të
pasonte me botimin e mbi 20 veprave
origjinale në gjuhën arabe, redaktimin,
studimin dhe verifikimin shkencor të
dhjetra veprave të kolegëve të tij
dijetarë, si dhe në botën islame
shqipfolëse me rreth 30 tituj librash të
botuar në Shkodër, Prishtinë, Shkup,
Tiranë etj.
Kudo, në librat e Hirësisë së
Tij, pas mbiemrit shënohet edhe llagepi:
“El-Albani”, dmth, shqiptari, sepse ai
ka besuar dhe beson se ky vend i ka
rrënjët e thella në Islam dhe se
asnjëherë nuk duhet të ndalemi nga
angazhimi për të nxjerrë në pah kulturën,
forcën e traditave dhe shpirtin islam
tek shqiptarët!
Me dijen dhe përkushtimin e tij,
Hoxha i madh i Shkodrës, i Shqipërisë
dhe i mbarë ymetit islam, ka fituar një
respekt të pashoq në mesin e dijetarëve,
pa besimtarëve dhe pasuesve të shumtë të
mesimeve të tij.
Në verën e 2001, kam qenë dëshmitar
i një skene respekti dhe nderimi ndaj
personalitetit të tij... Dijetari i
njohur islam Dr. Beshir El-Bani, i
puthte dorën duke i thënë: "Ti je hoxha
dhe mësuesi ynë"! (Dijetari në fjalë,
asokohe i kishte kaluar të 90-t).
Ai është dijetari, për të cilin,
dijetari i madh Shejkh Abdulfettah Ebu
Guddah, shkruan: “Profesor Shejkh Vehbi
Sulejman Gavoçi, All-llahu e ruajtë dhe
përfitoftë njerëzia dhe vendet e botës
nga dija dhe mirësia e tij”.
Ai është këshilluesi i pashoq, për
të cilin dijetari i shquar Dr. Mustafal-Khan,
shkruan: “Nuk kam parë në të vetëm se
burrin e mirë, këshillues dhe thirrës në
rrugë të All-llahut me dije, udhëzim e
këshillë...”.
Ai është mbrojtës i të vërtetave
hyjnore, për të cilin mendimtari i
shquar Dr. Said El-Buti shkruan: “Sot, e
konsideroj si njërin ndër më të
zgjedhurit që përfaqëson, me besimin,
moralin, ruajtjen dhe sjelljen e tij,
traditën e të parëve tanë të ndershëm,
duke marrë parasysh edhe jetën e tij
shkencore me botimet e shumta në ruajtje
të së vërtetës”.
Ai është njohësi i mirë i jetës dhe
veprës së Resulull-llahit (a.s), për të
cilin ish-kryemyftiu i Kosovës, Dr.
Rexhep Boja, dëshmon: “Gjithmonë i qetë
dhe i gatshëm që kurdoherë t’u ndihmojë
të tjerëve, shumë studentëve të
interesuar iu mbante ligjërata
plotësuese në Xhami të Pejgamberit nga
lënda e Sires.
Po në këtë qytet, kurdo që
lajmërohej për ndonjë ligjërim të Shejkh
Vehbiut, edhe salla më e madhe nuk mund
t’i pranonte të gjithë të interesuarit...”
Ai është njeriu me zemër të madhe që
nuk e harroi asnjëherë vendin e tij, për
të cilin dëshmohet se: "Sa herë që
mblidhemi me të, e diskutojmë për
gjëndjen në Shqipëri pas 1997, Profesori
vetëm qan për atë gjëndje të keqe të
vendit tonë…"!
Ai është shkolla e njerëzve të mirë,
me kontribute për shoqërinë e tyre, kudo
në botë, për të cilin, Thirrësi Islam
shqiptar me banim në Amerikë, z.
Burhanuddin Fili shkruan: “Kudo në
Washington, Virxhinia, Florida,
Kaliforni, Miçigan, e vende të tjera ku
kam qenë, kam takuar studentë të H.
Vehbi Gavoçit me grada shoqërore, që
edhe sot e kësaj dite e ruajnë me
krenari ndikimin e atij zotërie në
formimin e tyre njerëzor, duke ia
kushtuar atij udhëzimin e tyre në jetë…”.
Ai është dijetari-bamirës, për të
cilin Imam Vehbi Ismaili (rahmet pastë)
shkruan: “Kur u lirua Shqipëria, ai qe
ndër të parët që shkroi shumë libra në
gjuhën shqipe, libra të cilët ai i
shpërndante falas. Me sa di unë ky ishte
i vetmi me Hafiz Ibrahim Dalliun
që i shpërndante librat falas. Haxhi
Vehbiu është Alim-Amil që nderon me
veprat, dijen dhe moralin e tij fenë
Islame dhe kombin shqiptar”.
Ai është H. Vehbi Sulejman Gavoçi,
sot edhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës.[4]
Ai është i pari që mendoi se ky vend
ka nevojë për teologë të rinj, studiues
të thelluar në fenë islame, që të
ndihmojnë në rimëkëmbjen e Thirrjes
Islame, pas kolerës komuniste, që e
konsideronte si një “kryqëzatë famëkeqe”
kundër Islamit dhe myslimanëve në
Shqipëri, që e shkatërroi vendin dhe
shpirtin e tij.
Në letrën e parë që na dërgonte, kur
sapo kishim shkuar për studime në
Damask, para 19 viteve, Hoxha na
shkruante dhe na këshillonte:
"Më falni për vonesën në shkrimin e
kësaj letre, pasi isha në Umre dhe vetëm
dje filluan mësimet tek ne.
...
Unë kërkoj prej jush me duru, se
jeta ka vështirësi e heqje, por ta dini
se me durim, e liga kalon. Unë
personalisht, kam kaluar ditët e
studimeve në Misir, me bukën thatë. Të
tjerët kanë kaluar edhe më keq, po unë
ju këshilloj të lexoni librin: "Safahatun
min sabril- ulema"[5]ku
do të shihni, se si kanë duruar
dijetarët dhe si kanë vuajtur në rrugën
e kërkimit të dijes.
...
Dijeni mirë se ju po mësoheni për
t'u bërë trashëgimtarët e Profetit (a.s),
d.m.th, po punoni për një gradë më të
lartë se çdo gradë e leximeve të tjera.
E mira për ju është e pa përkufizuar.
Përfitoni prej kohës dhe rinisë, sa
të mundeni, se koha nuk kthehet dhe
rasti nuk vjen përherë! E di shumë mirë,
se largimi nga familja është shumë i
zorshëm, por kur të ktheheni Ulema është
për të mirë se ktheheni me dije,
ndërkohë që dikush tjetër kthehet me pak
të holla.
Ndoshta shpresa dhe imagjinata për
një jetë të lehtë e të kollajtë nuk ju
plotësua, por duroni, se kur të shijoni
ëmbëlsinë e mësimit, gjithçka do t'ju
vijë e lehtë dhe e dashur,
insha'All-llah.
...
Merruni me studime sa të keni
mundësi, se vetëm me dije dhe vetëm me
të i bëjmë nder vetes, familjes e krejt
popullit…
Hoxha i jonë i dashur, është pa
dyshim një ajet mëshirë dhe mirësie, që
vërteton se kjo tokë dhe ky vend i ka
rrënjët e forta në Islam dhe se bijtë e
tij duhet të ndjehen krenarë dhe
kryelartë me shembullin e Hirësisë së
Tij, para gjithëkujt!
Ai është një shembull i pashoq i
modestisë, i përuljes dhe marrëdhënies
korrekte me Zotin. Si të thuash, ai
është personifikim i thënies së njohur:
“Zoti im, Ti je qëllimi im dhe pëlqimi
Yt është kërkesa ime!”.
Në një letër, disa ditë para botimit
të monografisë sime mbi jetën e tij, në
maj, 2004 (për të cilën ai nuk ka pasur
dëshirë), më shkruan: "Un nuk
interesohem me u dukë e me pasë
fotografina rastesh… Un jam model i
vjetër, nuk më pëlqejnë zhurma, as
fotografija...!
Këshilloj përherë: Mos më lavdroni,
mos m' zmadhoni se un vërtet jam i
vogël. Perendia më ka përdorë si qole t'
Tij dhe mburrem se jam qole e Tij (xh.xh)...".
All-llahut (xh.sh) i lutem t’i japë
jetë të gjatë e shëndet të plotë Hoxhës
tonë, që ta kemi përherë si një busull
orientimi dhe një mbështetje shpirtërore
në punën tonë dhe përpjekjet e sinqerta
në shërbim të Thirrjes Islame.
All-llahu (xh.sh) e shpërbleftë për
përkujdesjen e tij ndaj nesh dhe
vullnetin e mirë për të kërkuar më të
mirën për ne dhe studimet tona.
E dua Lejlanë sa të
jem i gjallë, e nëse vdes,
dikë do të
lë, Lejlanë ta dojë pasi të kem vdekur![6]
[1]
Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Hasani
(r.a). Shih: Imam Sujuti, "El-xhamius-sagir",
hadithi nr. 2441.
[2] Muhamed
Sytari, “Vehbi Sulejman Gavoçi – dijetar
nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë,
2005, fq. 26-27.
[3] Po aty, fq. 22.
[4] Ceremonia e
dorëzimit të titullit: “Qytetar Nderi”
për Hoxhën tonë Vehbi S. Gavoçi, u
zhvillua ditën e shtunë, më 10 mars
2012, në një aktivitet të zhvilluar nga
Myftinia Shkodër.
[5] "Faqe nga
durimi i Ulemave", i autorit dhe
dijetarit Abdul Fettah Ebu Guddah.
[6] Shejkh Zijad
M. Humejdan, "Nibrasu da'vetin ve menaru
hidaje", fq. 59
|