Ditën e martë, më 12
shkurt 2013, ka mbërritur për një vizitë
disa ditore në Shkodër, Imam Didmar Faja,
drejtues i Qendrës Islame
Shqiptare-Amerikane të Phoenix në
shtetin Arizona të ShBA.
Fillimisht, ai ka zhvilluar një
takim të përzemërt e vëllazëror në
Myftininë Shkodër, ku është pritur nga
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari
dhe stafi i tij.
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu, pasi
i ka uruar mirëseardhjen Imam Didmar
Fajës, është interesuar për shëndetin
dhe aktivitetin e tij fetar e shkencor
në Arizona dhe përtej saj në shtetet e
ndryshme të Amerikës, ku imami i nderuar
ka një aktivitet të lavdëruar në rrugën
e lartësimit të Thirrjes Islame. Ai e ka
informuar Myftiun se sapo është kthyer
nga një aktivitet me vlera të mëdha
fetare në North Carolina të ShBA, ku
është dëshmuar dashuria për të Dërguarin
e All-llahut, Hz. Muhammedin (a.s) dhe
mësimet e tij.
Nga ana e tij, Myftiu e ka informuar
imamin e “Greenway Masjid” për
aktivitetet e Myftinisë Shkodër dhe
botimet e reja të saj dhe të Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, si: revista “Drita
Islame”, revista shkencore “Zani I Naltë”,
gazeta “Udha Islame”, “Buletin” etj.
Gjatë këtij takimi është biseduar
edhe për bashkëpunime të ndryshme në
fushën e botimeve, atë të përkthimeve
nga gjuhët e ndryshme etj, ku është rënë
dakord për shërbime të përbashkëta në
këtë drejtim.
Myftiu e ka ftuar Imam Didmar
Fajën për të mbajtur hytben e xhumasë së
ardhshme, më 15 shkurt 2013, në xhaminë
e Parrucës, si dhe të marrë pjesë si
referues në disa aktivitete fetare që
Myftinia Shkodër do të organizojë për
nder të vizitës së tij në Shkodër.
|
|
|
|
|