Në kuadër të 
										aktiviteteve fetare me temë: “Mbrëmje me 
										Resulull-llahin (a.s)”, ditën e hënë, më 
										28 janar 2013, Myftinia Shkodër ka 
										zhvilluar aktivitetin e radhës në 
										xhaminë e Kirasit.
           
										
Fillimisht, Myftiu i Shkodrës Imam 
										Muhamed Sytari, ka folur mbi dashurinë e 
										sahabëve për të dërguarin e All-llahut. 
										Në bazë të disa shembujve që ka 
										përmendur në fjalën e tij, Myftiu ka 
										shpjeguar se është e nevojshme që edhe 
										sot, muslimanët të përpiqen ta ndjejnë 
										Resulull-llahin (a.s) në jetën e tyre 
										dhe të bëhen thirrës drejt kësaj 
										dashurie të pastër edhe në shoqëri. Ai 
										ka kërkuar që muslimanët e sotëm të mos 
										ndikohen nga shfaqjet e islamofobisë, të 
										pranishme në shoqërinë shqiptare e më 
										gjerë, për të frenuar shfaqjen e 
										besëlidhjes me All-llahun, fenë e Tij 
										dhe dashurinë për të dërguarin e Tij të 
										fundit, hz. Muhammedin (a.s).
           
										
Më pas ka folur imami i xhamisë 
										Kiras, teologu Ylli Buraniqi. Në fjalën 
										e tij, ai është ndalur te mënyrat se si 
										duhet shprehur dashuria për të dërguarin 
										e All-llahut në jetën e përditshme. 
										Gjatë fjalës, ai ka sjellë shembuj të 
										ndryshëm, duke nxitur kapjen pas 
										traditave profetike dhe dëshmimin si 
										pasues të denjë të rrugës dhe besimit të 
										hz. Muhammedit (a.s).
           
										
Në këtë mbrëmje fetare ka folur edhe 
										imami i xhamisë Parrucë, teologu Naim 
										Drijaj. Ai është ndalur te disa shembuj 
										që tregojnë marrëdhënien e fortë dhe të 
										bazuar mbi dashurinë e pastër, që kanë 
										pasur sahabët me Resulull-llahin (a.s). 
										Imami i nderuar ka kërkuar që muslimanët 
										e sotëm, mos ta neglizhojnë historinë 
										islame dhe të kapen përherë pas këtyre 
										shembujve inspirues që janë udhëzim dhe 
										dritë për jetën e muslimanëve.
           
										
Aktivitetin e ka mbyllur teologu 
										Ervil Kuçi, që ka folur mbi rëndësinë e 
										tubimeve në të cilat përmendet jeta dhe 
										tradita e hz. Muhammedit (a.s). Ai ka 
										konfirmuar edhe një herë se takime të 
										tilla e shtojnë harmoninë dhe 
										vëllazërinë në mesin e muslimanëve dhe 
										bëhen shkak për rritjen e bashkëpunimit 
										dhe forcimin e dijes së pastër në mesin 
										e tyre.
| 
												 | 
| 
										
												 | 
| 
												 | 
| 
												 | 
| 
												 | 
