Ditën e enjte, më 24
janar 2013, Myftinia Shkodër ka
organizuar një aktivitet fetar me rastin
e përkujtimit të Lindjes së Begatë të
Hz. Muhammedit (a.s), i Dërguari i
Fundit dhe Vula e mbarë të dërguarve të
All-llahut në historinë e njerëzimit.
Aktiviteti është zhvilluar pas
namazit të iqindisë në xhaminë e
Parrucës, ku kanë marrë pjesë shumë
besimtarë dhe besimtare, si dhe
drejtuesit kryesorë të Myftinisë dhe
xhamive të Shkodrës.
Aktiviteti është hapur me këndimin e
një pjese kur’anore nga imami i xhamisë
së Medresesë, teologu Resmi Likaj. Më
pas imami i xhamisë Parrucë, teologu
Naim Drijaj, ka përshëndetur aktivitetin
duke uruar të pranishmit me rastin e
kësaj dite përkujtimore.
Referati kryesor është mbajtur nga
Myftiu Imam Muhamed Sytari, që është
përqendruar te argumentet shkencore mbi
prezencën e verseteve biblike mbi
ardhjen dhe dërgesën profetike të hz.
Muhammedit (a.s). Në fjalën e tij Myftiu
ka theksuar se kjo ditë është një
mundësi e re për të analizuar
marrëdhënien tonë si besimtarë me
mesazhet, këshillat dhe mesazhin hyjnor
me të cilin u dërgua hz. Muhammedi (a.s).
“Resulull-llahi (a.s), mëshirë për
ymetin e tij”, ka qenë tema e dytë e
mbajtur nga teologu Lavdrim Hamja. Gjatë
saj, ai ka përmendur argumente të
ndryshme, që vërtetojnë dhembshurinë dhe
mëshirën e madhe të hz. Muhammedit (a.s)
për ymetin e tij. Ai ka theksuar së kjo
mëshirë dhe kjo natyrë e pastër është
pjesë e mëshirës së madhe, me të cilën
Zoti i gjithësisë dërgoi hz. Muhammedin
(a.s).
Më pas, të pranishmit kanë pasur
mundësi të ndjekin një program të pasur
me këndimin e pjesëve nga “Mevludi” dhe
disa ilahi nga teologu Resmi Likaj dhe
medresisti Orhan Dani, që kanë krijuar
emocione në mes të besimtarëve.
Aktiviteti është mbyllur me vizitën
e gjurmës profetike “Lehjei Seadet”, që
është trashëguar ndër shekuj në Shkodër.
|
|
|
|
|
|