“Ishte
një njeri me shkëlqim të dukshëm, me
fytyrë të ndritshme, me moral të lartë…
Me fytyrë të bukur, shumë të bukur, me
sy të zinj… Me flokë të zinj, me qafë të
dukshme e mjekër të dendur. Kur heshte,
kishte prezencë e kur fliste, bukur…
Fliste ëmbël e qartë… Më i bukuri i
njerëzve nga larg, më i ëmbli dhe më i
miri i tyre nga afër… Mesatar, jo i
gjatë, as i shkurtër, si degë në mes dy
degësh… Kur fliste e dëgjonin, e kur
urdhëronte vraponin për ta zbatuar…”.[1]
Kështu e përshkruante
Resulull-llahun, Ummi Ma'bed, një grua
që jetonte në periferi të Mekkes dhe që
pati mirësinë e Zotit, që të shihte të
Dërguarin e All-llahut, ditën kur ai,
sëbashku me Ebu Bekrin, Amir ibn Fehiran
dhe udhërrëfyesin e tyre, mushrikun
Abdull-llah ibn Urejkit, po largoheshin
drejt Medines, në ditët historike të
emigrimit të madh, hixhres profetike.”
Kështu e ka nisur hytben e xhumasë,
më 18 janar 2013, në xhaminë e Parrucës,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
Gjatë saj, ai ka theksuar se ditën e
enjte, më 24 janar 2013, mbarë bota
islame përkujton ditën e lindjes së hz.
Muhammedit (a.s), të dërguarit të fundit
dhe Vulës së të dërguarve dhe profetëve
të All-llahut.
Myftiu ka theksuar
se përkujtimi i kësaj ngjarje është një
moment reflektimi dhe rishikimi i
marrëdhënies së muslimanit me të
dërguarin e All-llahut, traditën e tij,
moralin dhe misionin e shenjtë me të
cilin u dërgua për t’i nxjerrë njerëzit
nga errësira në dritë.
“Ai është
lutja e hz. Ibrahimit (a.s), i cili i
drejtohej All-llahut me këto fjalë: "Zoti
ynë, dërgo ndër ta, nga mesi i tyre të
dërguar që t'u lexojë atyre ajetet Tua,
t'u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e
t'i pastrojë (prej ndytësisë së
idhujtarisë). S'ka dyshim se Ti je
ngadhënjyesi, i dijshmi"[2]...
Ai është sihariqi i hz. Isait (a.s),
për të cilin, Zoti i gjithësisë thotë në
Kur’an: "Dhe, kur Isai, biri i Merjemes
tha: "O beni israilë, unë jam i dërguar
i All-llahut te ju, jam vërtetues i
Teuratit që ishte para meje dhe jam
përgëzues për një të dërguar që do të
vijë pas meje, emri i të cilit është
Ahmed!" E kur ai u erdhi atyre me
argumente të qarta, ata thanë: Kjo është
magji e hapët".[3]
Në Kur’anin Famëlartë është një sure
me emrin e Zotërisë së bijve të Ademit,
sureja Muhammed. Në ajetin 2 të saj
thuhet: “Ndërsa atyre që besuan, bënë
vepra të mira dhe e besuan atë që iu
shpall Muhammedit, që është e vërteta
prej Zotit të tyre, Ai atyre do t’ua
shlyejë gjynahet dhe do t’ua përmirësojë
gjendjen”.”- ka thënë Myftiu.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu ka
përmendur edhe lidhjen e shqiptarëve me
fenë e hz. Muhammedit (a.s), ku ka thënë
se: “Me përqafimin e Islamit, fenë e Hz.
Muhammedit (a.s), shqiptarët mësuan të
laheshin, të pastroheshin, të ishin të
drejtë në familje, të mëshironin kafshët,
të jepnin zekatin e të mos i zinte
kopracia! Atje në Bexhisten ra zjarr!
Një tregtar musliman shkodran, nga kjo
lagje ku jemi sot, qetësisht u tha
njerëzve: Nuk kam frikë nga zjarri se e
kam ndarë zekatin! E gjithë Shkodra e di
se dyqani i tij kishte shpëtuar nga
zjarri!
Me përqafimin e fesë së Muhammedit (a.s),
shqiptarët zunë shkrim këndim, u bënë
dijetar të mëdhenj, me të cilët mburret
një botë e tërë!”.
[1]
Dr. Mervan Shejkhulerd, "Es-sirretun-nebevijje",
fq. 310, nga "Et-Tabakat" të Ibni Sa'dit,
1/231.
[2]
Kur'ani: 2:129.
[3] Kur'ani:
61:6.
|
|
|