(Reflektim pas
leximit të një ngjarje të vërtetë)
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i
Zonës Shkodër
Para dy netësh, një
profesor imi shumë i dashur në Damask,
kishte publikuar në një prej rrjeteve
sociale në internet historinë e dy të
rinjve muslimanë nga qyteti i Medines në
Arabinë Saudite. Historia e dy të rinjve,
është historia e shumë prej nesh, e
shumë prej të rinjve edhe në qytetin
tonë… Është si të thuash, pasqyrim i një
realiteti në jetën e secilit, ndonëse në
formë, lloj e dimension të ndryshëm…
Ata të dy, vendosën të largohen nga
qyteti i tyre (e ndriçuara Medine) dhe
të udhëtonin drejt Stambollit, qytetit
të madh e të bukur, ku përzihet shpirti
i pastër e mistik islam, me prekjet e
lirive të pakontrolluara e të shthurura,
në emër të ngopjes së egos së sëmurë…
Kishin vendosur të pinin, të
deheshin e të dëfrenin pa kufij. Kishin
blerë disa shishe me lloje të ndryshme
pijesh alkoolike dhe ishin drejtuar për
të marrë një dhomë hoteli për të kaluar
netët e udhëtimit të tyre plot “netë
ëndrrash”…
Në hyrje të hotelit,
sportelisti, me të diktuar se klientët e
tij ishin nga qyteti i Medines (qyteti i
Resulull-llahit dhe të Dashurit të Zotit),
ishte gëzuar aq shumë sa u kishte
servirur jo një dhomë të zakonshme, por
suitën më të mirë që kishin në atë
hotel. Si jo, ata ishin banorë në një
vend me Resulull-llahin (a.s)!
Atë natë, dy të rinjtë kishin pirë aq
shumë, sa mezi qëndronin në këmbë. Në
atë gjëndje, kishin fjetur dhe në
mendjen e tyre çdo gjë shkonte sipas
parashikimeve dhe dëshirës së tyre për
dëfrim…
Diku nga ora 4 e
mëngjesit të ditës së nesërme, trokitjet
e matura të derës së tyre u bënë shkak
për prishjen e gjumit. Kush ishte? Çfarë
kërkonte në atë orë jo të zakontë për të
trokitur në derë?
Njëri prej dy
të rinjve, me njërin sy të hapur e
tjetrin të mbyllur nga lodhja e natës së
shkuar, u ngrit dhe mezi e hapi derën.
Pas saj qëndronte sportelisti me fytyrë
të qeshur.
Më falni zotëri, - i
tha me gjysëm zëri, - këtu pranë nesh ka
një xhami. Pasi mësoi për ardhjen tuaj
dhe pushimin në hotelin tonë, imami i
xhamisë refuzoi të drejtonte njerëzit në
namazin e sabahut, ndërkohë që ju jeni
prezentë në mesin tonë! Ai ka lajmëruar
xhematin dhe ata duan që njëri prej jush
të falet sot imam! Prandaj, po ju
lajmëroj që të bëheni gati dhe të na
nderoni me zbritjen tuaj në xhami.
I riu saudit, i tronditur nga fjalët e
sportelistit, zgjoi me të shpejtë shokun
e tij dhe i tregoi për bisedën në derë
të suitës. E pyeti nëse dinte ndonjë
sure nga Kur’ani, sepse ai për
vete nuk dinte as Fatihanë. Shoku i
dhomës, i tronditur nga fjalët që kishte
dëgjuar dhe situatën e krijuar, i tha,
se përveç Fatihasë dinte edhe “Kul
huvell-llahun” dhe asgjë tjetër.
Ndërkohë, dera trokiti sërish… Ishte
sërish sportelisti me fytyrë të qeshur…
“Zotëri, koha po kalon dhe njerëzit po
presin! Ju lutem shpejtoni!”- tha dhe u
largua.
Dy të rinjtë, pasi u
lanë, u veshën dhe u parfumosën zbritën
në xhami. Ç’të shihnin, xhamia ishte
tejmbushur si të ishte ditë bajrami…
Kishin ardhur dy të rinj nga qyteti i
pejgamberit (a.s)… Njerëzit i shihnin me
buzëqeshje e shumë përzemërsi. Dikush i
përshëndeste me dorë në zemër e dikush
tjetër duke zgjatur kokën, përpiqej të
tregonte kureshtjen legjitime për dy
vizitorët specialë të kësaj dite…
Muezini këndoi ikametin dhe njëri prej
dy të rinjve, në mihrabin e imamit, nisi
të këndonte Fatihanë dhe “Kul
huvell-llahun”, të cilin e përsëriti
edhe në rekatin e dytë…
Pas
përfundimit të namazit, njerëzit nuk
kishin të sosur, teksa i përqafonin dhe
këndonin salavate, si për të kujtuar
Zotërinë e bijve të Ademit, që pushon në
Medine, prej nga kishin ardhur dy të
rinjtë…
U kthyen në hotel. Në
suitën e tyre, ata shikonin
njëri-tjetrin dhe qanin pa pushim. Ishin
lotët e pendimit të tyre. Zoti i
gjithësisë i kishte marrë për dore drejt
këtij vendi, për t’i udhëzuar në pendim,
pas hutimit dhe shthurjes së tyre…
Subhanall-llah..! Rrëfimi tregon se sot,
njëri prejt dy të rinjve, është ndër
thirrësit islamë më të suksesshëm të
kohës…
Kur e lexova këtë ngjarje,
m’u kujtuan e më erdhën para sysh shumë
të rinj muslimanë të kësaj kohe që
jetojnë të hutuar nga drita e besimit,
ndonëse ditë pas dite zëri i muezinit
dhe ezani i besimit i fton të kthehen e
të trokasin në dyert e pendimit…
M’u kujtuan lokalet e shumta që gëlojnë
nga të rinj, që për të kaluar kohën e
për ta vrarë në heshtje atë, konsumojnë
alkool, dehen në zhurmat e muzikës e
shoqërisë së lokaleve të natës…
Me zemër u luta që edhe ata, ta gjejnë
dritën e udhëzimit, të trokasin në derën
e pendimit, në të cilën të gjithë ne
duhet të trokasim një ditë, ditë pas
dite, gjynah pas gjynahi, gabim pas
gabimi. Sepse, të gjithë ne gabojmë,
bëjmë gjynahe, i hyjmë në hak
njëri-tjetrit, vrasim me fjalë e prekim
aty ku nuk duhet prekur.., sepse jemi
humanë, jemi njerëz e, njeriu gabon!
Por, fisnikëria e njeriut qëndron
edhe në forcën për t’u penduar e për të
kërkuar falje, aty para duarve të Zotit,
në heshtjen e pritjes së një rreze drite
që sinjalizon pranimin, pas së cilit
syri gjallërohet me një rrëkezë loti që
jep sihariqin e mirë se dera në të cilën
kemi trokitur, është hapur…
E
lexova këtë ngjarje dhe me zemër thashë:
Elhamdulil-lah për mirësinë e udhëzimit
në dritën e besimit!
Shkodër, 15 janar 2013
|