Paraditën e së
shtunës, më 12 janar 2013, është
zhvilluar Konferenca II e imamëve dhe
këshillave të xhamive të Myftinisë
Shkodër.
Konferenca është
përshëndetur edhe nga nën/kryetari i
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H.
Bujar Spahiu, i cili ka dhënë disa
këshilla të vyeshme për imamët e
Myftinisë Shkodër. Fillimisht, ai ka
përcjellur edhe selamet dhe urimet e
Kryetarit të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, H. Selim Muça për mbarësinë
dhe suksesin e kësaj konference.
Në fjalën e tij, nën/kryetari i KMSh, ka
spikatur rolin e madh që kanë imamët si
thirrës drejt vlerave kur’anore dhe
misionit islam, që bazohet në Kur’an,
Hadith, Kijas e Ixhma.
Nën/kryetari
i KMSh, ka falënderuar njëkohësisht
angazhimin e imamëve të Myftinisë
Shkodër dhe ka uruar që ky vit të jetë
sa më i suksesshëm në drejtim të shtimit
të aktiviteteve dhe afrimit të rinisë me
xhaminë.
Më pas ka përshëndetur
edhe drejtori i Burimeve Njerëzore në
KMSh, z. Dorian Demetja, i cili ka vënë
theksin të rëndësia që ka respektimi i
bashkëpunimit në mes të imamëve dhe
institucionit të Myftinisë dhe vetë
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ai
ka përmendur disa shembuj nga realiteti
i komunikimit të imamëve me Myftininë
dhe disa gabime që duhen evituar në këtë
marrëdhënie vëllazërore dhe
institucionale.
Konferencën e ka
përshëndetur edhe Myftiu i Malësisë së
Madhe, H. Edmir Smajlaj, që ka uruar
mbarësi dhe sukses për imamët e
Myftinisë Shkodër dhe ka shprehur
vlerësimet e tij për bashkëpunimin në
mes dy myftinive të Zonës Shkodër.
Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës
Shkodër, ka folur mbi rëndësinë që ka
angazhimi i imamëve për të ruajtur
frymën e harmonisë dhe për të rritur
vlerat e Thirrjes Islame në realitetet
ku punojnë dhe shërbejnë. Ndër të tjera
ka thënë: “Sot kemi nevojë për një
angazhim më serioz e më të ngjeshur për
të forcuar frymën e unitetit
institucional në shërbim të prezantimit
tonë përherë e më solid në një realitet
të acartë e tepër intrigues, që mbi fenë
dhe pastërtinë e saj, ka Zot interesin
vetjak dhe përfitimin egoist!? Kemi
nevojë të forcojmë edhe më shumë
shfaqjen dhe prezencën tonë si bashkësi
fetare me vlera shekullore, që punon në
shërbim të ruajtjes, kultivimit dhe
disiplinimit të frymës së besimit dhe
kulturës islame në shoqëri.
Kemi nevojë që imami ta ndjejë
përgjegjësinë e detyrës dhe të
angazhohet në këtë drejtim, duke
shërbyer me sinqeritet e pastërti, jo
duke u bërë gjykatës, por mjek shërues
në realitetet e komunitetit të tij. Kemi
nevojë që imami, të bashkëpunojë në
shërbim të forcimit të disiplinës fetare
në xhami, jo të bëhet tolerues në
lejimin e shthurjes në emër të vlerës
islame të divergjencës së mendimeve dhe
shkollave juridike në ritualet e
ndryshme fetare.”
Në fjalën e tij, Myftiu ka folur
edhe për marrëdhëniet me shoqatat islame,
për realitetet e përditshme sociale dhe
shpirtërore në Shkodër, për marrëdhëniet
me politikën dhe institucionet lokale,
për gjendjen e rinisë islame etj.
Gjatë kësaj konference, Myftiu është
ndalur edhe të marrëdhëniet ndërfetare,
ku ka thënë: “Ne muslimanët, jemi
prijësit e harmonisë ndërfetare në
Shkodër dhe përtej saj, të prirur dhe të
gatshëm për të bashkëpunuar me këdo që
ndan me ne të njëjtin qëllim të mirë për
të mbjellë harmoni e paqtim në Shkodër
dhe përtej saj! Realiteti dhe historia e
dëshmojnë këtë fakt! Këtë mision e kemi
amanet nga pejgamberi i ynë, nga Kur’ani
Famëlartë, nga Zoti i gjithësisë! Nuk do
ta prishim nijetin tonë për asnjë cytës
të verbuar, as për asnjë deklaratë të
papjekur, as për asnjë intervistë të
kujtdo qoftë, me të cilin na ndan jo
vetëm besimi por edhe nijeti në
marrëdhënie me tjetrin!
Në këtë
kontekst, dua të përmend një fjalë të
nobelistit turk, shkrimtarit Orhan Pamuk,
që thotë: “Mos u shqetësoni nga
zgjedhjet që bën populli. Demokraci do
të thotë respektim i vendimeve të
shumicës dhe lirive të shoqërisë edhe
atëherë kur këto vendime janë në favor
të partive politike që frymëzohen nga
besimi fetar”.
Ne, do të vazhdojmë të kërkojmë që
në funksion të këtij qëllimi të lartë të
mbjelljes dhe forcimit të frymës së
harmonisë ndërfetare në Shkodër, sheshi
kryesor i saj të ketë emrin “Sheshi
Harmonia”!
Do të vazhdojmë të
zhvillojmë projektet tona të harmonisë
ndërfetare me Kishën Katolike, me Kishën
Ortodokse, me krejt ata njerëz që janë
ndryshe nga ne në besim e bindje, por që
së bashku ndajmë krenarinë e
bashkëjetesës në këtë qytet të dashur,
në Shkodrën e madhe të vlerave dhe të
historisë, me të cilët na bashkon gjaku,
gjuha, vlerat kombëtare! Ata që do të
bashkohen me ne në këtë qëllim, do t’i
shtrijmë dorën e bashkëpunimit pa asnjë
mëdyshje në shërbim të një interesi të
madh kombëtar. Ndërsa, kushdo që do të
tentojë të pakojë nga respekti,
vlerësimi a injorimi i ftesave tona në
shërbim të këtyre vlerave, do të kenë
hak lutjet tona që Zoti t’u ndriçojë
zemrat e mendjet, t’i udhëzojë nga e
drejta dhe t’u dhurojë pendim të
sinqertë në rrugën e drejtimit pas
devijimit!”.
Më pas, fjalën e
kanë pasur diskutimet dhe
pyetje-përgjigjet e shumta në drejtim të
Myftiut dhe stafit të Myftinisë Shkodër.
|
|
|
|
|
|
|