Paraditën e së
mërkures, më 9 janar 2013, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, i
shoqëruar edhe nga një grup imamësh e
këshilltarësh, ka zhvilluar një vizitë
në shtëpinë e Hoxhës së moshuar, H. Musa
Hoxha.
Fillimisht, Myftiu është
interesuar për shëndetin e Hoxhës, që ka
lindur në vitin 1926 dhe që ka ndjekur
studimet fetare për një periudhë disa
vjeçare para duarve të hoxhallarëve të
nderuar të Shkodrës si: H. Muhamed
Bekteshi, H. Esat Myftija, H. Ibrahim
Kaduku etj, te të cilët ka filluar
hatmen e Kur'anit, vasin, gramatikën
arabe, etj.
Hafizi i moshuar ka
shprehur kënaqësinë e tij për këtë
vizitë duke theksuar mirënjohjen për
Myftininë Shkodër dhe vlerësimin që i
bën ajo hoxhallarëve të shkuar të
Shkodrës dhe nxënësve e familjarëve të
tyre.
Bashkëbisedimi ka vijuar
me kujtime të shumta nga jeta e shkuar e
H. Musa Hoxhës, që ka sjellë në vëmendje
të vizitorëve të tij momente emocionale
nga e kaluara para duarve të
hoxhallarëve të Shkodrës, momente të
vështira nga sprova e besimit nën
regjimin komunist, zhvillimi i i disa
ritualeve fetare në fshehtësi të madhe
etj.
Me kërkesë të Myftiut, H.
Musa Hoxha ka bërë edhe një duá për të
pranishmit, ku i është lutur Zotit për
mbarësinë dhe zhvillimin e Thirrjes
Islame, lartësimin e saj dhe gjallërimin
e jetës fetare në Shkodër e në mbarë
Shqipërinë.
Në shenjë kujtimi të
kësaj vizite, Myftiu i ka dhuruar H.
Musa Hoxhës një panoramë me fotot e
hoxhallarëve më të shquar të Shkodrës
gjatë 100 viteve të fundit.
|
|
|
|