Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Të xhumanë, më 28 dhjetor 2012, për të pestën javë radhazi Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka vijuar të hedhë dritë mbi gjurmët dhe kontributin e madh të hoxhallarëve shkodranë në edukimin e brezave dhe ngritjen e vlerave islame në Shkodër e Shqipëri.

Gjatë hytbes së mbajtur, Myftiu ka përmendur rastin e disa hoxhallarëve, persekutimin e tyre, qëndresën përballë komunizmit dhe realiteteve të hirta të kohës, si dhe gjurmët në zhvillimin e jetës fetare dhe ruajtjen e harmonisë fetare në shoqërinë shqiptare.

Duke folur për hoxhën e nderuar Hafiz Musa Dërguti, Myftiu ka përmendur se: “Në vitet 1943-1944, kur idetë komuniste u propaganduan në mënyrë më të organizuar, në qytetin e Shkodrës Hafiz Musai ishte ndër kundërshtarët më të vendosur. Ai në tubime të ndryshme, spontane apo dhe në xhami fliste për rrezikun e madh që do të sillte triumfi i komunizmit në Shqipëri”.[1]

“Kujtoj nga fëmijëria – ka vijuar Myftiu, - se kur gjyshi im fliste për mjerimin që kishte sjellë komunizmi për vendin dhe shqiptarët, kujtonte “mikun e shpís”, Hafiz Musa Dërgutin, që në një prej ndenjave u kishte thënë se: “Enver Hoxha asht qafiri biddín!
[2]”.

Myftiu ka folur edhe shembullin e shumë dijetarëve të tjerë, si dhe atë të Imam Vehbi Ismailit, larg në Amerikë. “Kujtojmë me nderim të thellë prijësin e muslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Imam Vehbi Ismaili (1919-2008). Kontributi i tij atje është i gjithanshëm. Ai, jo vetëm që dha një kontribut të madh në organizimin fetar të muslimanëve shqiptar, por ishte edhe një prijës shqiptar që thërriste për harmoni e mirëkuptim në shërbim të interesave kombëtare. Shkruan: “Kur erdha në Amerikë, kjo shoqëri nuk kishte lokal. Morëm me qira një sallë në Institutin Internacional dhe menjëherë hapëm klasë, ku për çdo të diele nxënësit nga dy orë mësonin gjuhën shqipe, kurse një orë ndiqnin mësimin fetar. Këto paralele ekzistojnë edhe sot. Të gjithë fëmijët e lindur këtu mësuan të shkrujnë e lexojnë shqip”.
[3]

Imami i nderuar ishte modeli i prijësit që bashkonte shqiptarët dhe nxiste frymën e harmonisë. Shkruan: “Nuk ka rast të organizohet ndonjë drekë apo darkë e të mos ketë në mesin e besimtarëve muslimanë dhe besimtarë të fesë katolike dhe anasjelltas. Kjo bëhet për shkak se të gjithë klerikët janë të një niveli të lartë fetar e kombëtar. Të gjithë predikojnë dashuri e vëllazërim”.[4]”- ka thënë Myftiu.

Gjatë hytbes së xhumasë në xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës ka theksuar se hoxhallarët tanë janë nder dhe krenari për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë. Ai ka thënë se: "Hoxhallarët tanë na mësuan të themi me krenari: Jam musliman shqiptar! Jam musliman shkodran!"

Myftiu ka theksuar se do të ishte në nderin e Presidentit të Shqipërisë, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, kushdo qofshin ata, që të nderojnë lart personalitetin e shquar të këtyre burrave të urtë që jetuan dhe vepruan me sinqeritet, për të arritur kënaqësinë e Zotit, jo për të përfituar lavde a nderime nga njerëzit dhe shoqëria.

Myftiu ka theksuar se këta hoxhallarë të ditur i bëjnë nder Shkodrës, Shqipërisë!

Detyra e jonë – ka vijuar Myftiu, - është të mos e harrojmë emrin dhe shembullin e tyre, t’ua mësojmë fëmijëve dhe brezave që vijnë dhe të mos harrojmë se ne muslimanët nuk jemi shoqëri pa gjurmë, as pa shembuj nderi e krenarie; përkundrazi, hoxhallarët tanë e kanë ushqyer këtë tokë me shembujt më të mirë të pastërtisë, dijes, nderit, moralit, qytetërimit e përparimit në çdo fushë!


[1] Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997, fq. 158.
[2] D.m.th. femohues.
[3] Imam Vehbi Ismaili, Vepra, 1, Shkup, 2009, fq. 119.
[4] Po aty, fq. 125.

 

“Hoxhallarët tanë na mësuan të themi me krenari: Jam musliman shqiptar!” - Parrucë, 28 dhjetor 2012

“Hoxhallarët tanë na mësuan të themi me krenari: Jam musliman shqiptar!” - Parrucë, 28 dhjetor 2012

“Hoxhallarët tanë na mësuan të themi me krenari: Jam musliman shqiptar!” - Parrucë, 28 dhjetor 2012