Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Duke inspektuar
pronat tona të dikurshme vakëf, tashmë
të uzurpuara nga njerëz pa ngjyrë fytyre,
sesi m’u kujtua lajmi i para dy ditëve,
kur ministri Olldashi, nga Shkodra, i
ktheu Kishës Françeskane një pronë të
uzurpuar. Bravo ministër! Urime të
përzemërta e të sinqerta françeskanëve,
sidomos kur kthimi i kësaj prone përkon
edhe me një prej festave vjetore të
këtij komuniteti e gëzimi merr një
përmasë të dyfishtë!
Por, ajo që
mendova dhe me erdhi si një pyetje e
pafajshme dhe thellësisht logjike, ishte
se cili ministër do të ketë mirësinë të
vijë në Shkodër e të na dorëzojë tapinë
e një a dhjetra pronave tona vakëf të
uzurpuara, për të cilat asnjë qeveri
deri më sot nuk bëri asgjë për kthimin e
natyrshëm të tyre, ashtu si duhej e si
ne prisnim?
Madje m’u kujtua
sesi me urdhër të një kryeministri të
periudhës postkomuniste, ne humbëm edhe
hisen tonë legjitime te vakëfi i famshëm
“Hotel Turizmi”; iu dha si kompensim ish-
të përndjekurve!? Paradoksalisht, edhe
kësi zullumesh xhahile kanë ndodhur dhe
ndodhin mbi pronat tona në emër të
demokracisë dhe vlerësimit të ish-të
përndjekurve!? Sot, realiteti i këtij
vakëfi është ngatërruar më shumë se më
parë, por jo aq mjaftueshëm sa për të
mos u zgjidhur si duhet (Një Zot e di se
kur) nga gjykata e Strasburgut, ku ne
jemi ankuar!
M’u kujtua, se si
në emër të një ligji-vjedhacak, që
legjitimon pronën e vjedhur pronarit
legjitim, një pronari hajdut, prona e
jonë te xhamia e Garucit u tjetërsua dhe
gjurma e saj u shdërrua sa hap e mbyll
sytë!? Tashmë, edhe me ndihmën e ALUIZNI-t
Shkodër, Myftinia Shkodër e ka humbur
pronën e saj; ajo i është legalizuar një
“pronari” të ri, që s’mund të jetë
pronar i një toke e një prone që s’është
e tija, sado që ligje-hijenë e drejtues
familjarë ta bëjnë këtë krim në emër të
ligjit për legalizimet!?
M’u
kujtua prona në Zogaj, ku para vjedhjes
flagrante të pronës së Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, Myftinisë
Shkodër, disa herë Bashkia Shkodër, INUV
e INUK u kthyen të turpëruar nga
rrugëtimi i tyre për prishjen e një
objekti ilegjitim mbi një pronë të
grabitur!? Çfarë ndodhi? Çfarë e ndaloi
pastrimin e pronës sonë? Përgjigjen e
dha në heshtje flamuri i partisë, që
valëvitej mbi tarracën e
objektit-fantazëm, që uzurpon akoma sot
një pjesë të mirë të pronës sonë!
M’u kujtua rropatja e jonë zyrave të
ZVRPP Shkodër për të marrë në dorë një a
disa tapi më se legjitime, edhe pas
tejkalimit të çdo afati legjitim të
shkelur për të na dhënë një përgjigje…
Pritje, pritje, pritje…
M’u
kujtua zhurma e madhe që u bë, kur ne
dolëm në një deklaratë për shtyp, në
prag të zgjedhjeve lokale të 2011,
takimet e shpeshta me drejtues të Kishës
Ortodokse për çështjen e përbashkët të
vakëfeve tona; ishte bërë nami, lajmi
kishte marrë dhenë, ne ishim fajtorët që
po ngrinim zërin, duhet të heshtnim!?
Ishte kohë e papërshtatshme!? Dikush
mendonte se Myftiu
do të kandidonte i pavarur për
kreun e Bashkisë Shkodër!? Sa qesharake
e paradoksale kjo situatë në këtë kohë e
këtë vend që aspiron të bëhet pjesë e
Bashkimit Evropian!?
M’u kujtuan
ato dhjetra e qindra dosje me
problematikat e pazgjidhura të vakëfeve
të Myftinisë Shkodër… shumë m’u kujtuan…
Thashë me vete: Cili ministër do të
ketë mirësinë të vijë e të na dorëzojë
tapinë e një a disa pronave për të cilat
ne vazhdojmë të rropatemi vit pas viti e
dekadë pas dekade, si të ishim të huaj
në vendin tonë? A thua se po kërkojmë
një absurditet, një të pamundur?!
Cili ministër, do të ketë mirësinë të
lajmërojë ardhjen e tij në Shkodër për
të na dhënë sihariqin se një vakëf a një
tjetër, më në fund iu kthye shëndosh e
mirë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
Myftinisë Shkodër?
Cili ministër,
tashmë që edhe periudha e shpresës (këto
22 vite të postkomunizmit e premtimeve
me buzëqeshje) po barazohet në kohë me
periudhën e errësirës dhe kolerës
vrastare ateiste (23 vitet e tjetërsimit
punist)!?
Tashmë, duket qartas,
përgjigjen duhet ta presim… ndoshta pas
mesit të vitit që po vjen, meqë ky vit
shkoi e asgjë e re për vakëfet tona të
shenjta nuk u pa në horizont...
Shkodër, 22 dhjetor 2012
|