Paraditën e së enjtes,
më 20 dhjetor 2012, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, në shoqëri të
menaxherit të pronave të Myftinisë, z.
Blendi Alushi, ka zhvilluar një
inspektim në terren, për të parë nga
afër vijimin e punimeve për shtimin e
xhamisë së lagjes Perash me një ambient
shtesë dhe përgatitjet për përfundimin e
punimeve në xhaminë e re të fshatit
Mes-Myselim.
Fillimisht në
xhaminë e lagjes Perash, Myftiu i
shoqëruar edhe nga imami i xhamisë,
teologu Adem Pizga, ka ndjekur punimet
që po bëhen dhe ka vlerësuar se
hapësirat e reja do t’i shtojnë bukuri
dhe hijeshi xhamisë që frekuentohet nga
banorët e lagjes dhe jo vetëm.
Myftiu ka falënderuar ekipin e
ndërtuesve, duke shprehur vlerësimin e
tij për atë që është bërë deri tani.
Më pas, Myftiu ka ndjekur nga afër
edhe fazën përfundimtare të shtrimit të
parketit në xhaminë e re të fshatit
Mes-Myselim, që po ndërtohet nga e para.
Ndonëse ndërtimi ka marrë një kohë të
konsiderueshme, Myftiu ka vlerësuar se
kjo xhami është një ndër ndërtimet më të
mira jo vetëm në zonën e Postribës, por
në krejt rrethin e Shkodrës.
Ditët në vijim, Myftinia Shkodër ka
planifikuar të zhvillojë inspektime në
zonat ku po ndërtohen xhami të reja, si:
në lagjen Dërgut (në prag përfundimi),
te Ura e Bunës, në fshatin Kuç (në prag
përfundimi), në fshatin Bërdicë e
Sipërme (në prag inaugurimi), në fshatin
Trush, si dhe në fshatin Barbullush, ku
pritet të zhvillohet ceremonia e
përcaktimit të drejtimit të kibles e më
pas ajo e hedhjes së themeleve për
ndërtimin e xhamisë së re.
|
|
|
|
|
|