Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Paraditën e së mërkurës, më 19 dhjetor 2012, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur në një takim të përzemërt z. Muhidin Muhamed Gavoçi, me banim në Damask të Sirisë.
 
Zotëria 82 vjeçar, që flet një gjuhë të pastër e të shëndoshë shqipe me dialekt të theksuar shkodran, është pjesëtar i familjes së madhe muslimane shkodrane Gavoçi, që emigroi para rreth tetë dekadash nga Shkodra drejt Damaskut.
 
Fillimisht, Myftiu i ka uruar mirëseardhjen në vendlindje z. Muhidin Gavoçi, duke shpresuar se gjatë kësaj vizite të shkurtër do të shohë ndryshimet që ka pësuar Shkodra që nga vizita e tij e fundit para rreth 15 viteve.
 
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu është interesuar për shëndetin dhe gjendjen e Hoxhës së nderuar shkodran H. Vehbi S. Gavoçi dhe është lutur që Zoti ta begatojë me shëndet e mirësi, në shërbim të Thirrjes Islame dhe përhapjes së dritës së saj.
 
Myftiu ka konfirmuar se mirësitë dhe kontributet e Hoxhës së shquar Vehbi S. Gavoçi për Shkodrën dhe Shqipërinë, sidomos pas rënies së diktaturës komuniste, janë të pallogaritshme. Imam Muhamed Sytari ka thënë, se Myftiu aktual i Shkodrës dhe një numër i madh teologësh, imamësh, mësuesish fetarë e teologesh që shërbejnë me sinqeritet dhe me shumë dashuri në Shkodër, janë frut prej fruteve të angazhimit të këtij dijetari të madh e të shquar islam në shërbim të Islamit në Shqipëri e përtej saj.
 
Ai e ka njohur mikun nga Damasku me realitetin e Myftinisë Shkodër dhe zhvillimet e reja në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, aktivitetet, botimet, konferencat, takimet ndërfetare, emisionet televizive, ndihmat e shumta bamirëse etj, që janë një shenjë mbarësie e suksesi për zhvillimin e besimit dhe fesë islame në Shkodër e mbarë Shqipërinë.
 
Bisedat janë përqendruar edhe te situata aktuale në Damask e Siri, ku Myftiu e ka informuar z. Gavoçi se besimtarët muslimanë të Shkodrës luten ditë pas dite që paqeja, siguria, qetësia dhe begatia të sundojë në Siri dhe në mbarë vendet e botës islame.
 
Në shoqërinë e Myftiut, miku nga Damasku ka zhvilluar një shëtitje në rrugët e Shkodrës, për të hequr mallin e viteve dhe dekadave larg vendlindjes së dashur.

 

Myftiu pret në një takim të përzemërt z. Muhidin Gavoçi - 19 dhjetor 2012