Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta e përkohëshme, miku ynë dhe antari i Këshillit të Myftinisë Shkodër në periudhën 2006 – 2010.
 
Me këtë rast, Myftinia Shkodër vlerëson kontributin e prof. Gëzim Uruçi, si një burrë me vullnet të mirë, me ide konstruktive dhe vizione për një të ardhme më të mirë për komunitetin dhe bashkësinë e njerëzve besimtarë.
 
Myftinia Shkodër vlerëson angazhimin e prof. Gëzim Uruçi, si një antar me kontribute të dobishme për Këshillin e Myftinisë Shkodër dhe aktivitetin e saj në periudhën 2006 – 2010.
 
Myftinia Shkodër shpreh ngushëllimet e saj familjes, miqve, të afërmve dhe lutjet më të mira që shpirti I tij të pushojë në paqe, në mëshirën dhe bujarinë e All-llahut!
 
INNA LIL-LAHI VE INNA ILEJHI RAXHIUNE!

________________________________________
Në memorie të kontributit të prof. Gëzim Uruçi,
po ribotojmë një referat të Zotërisë së tij,
mbajtur në promovimin e një monografie për jetën e Hafiz Qamil Tresit,
më 23 dhjetor 2006.


Prof. Gëzim My. URUÇI
Euroetnolog, Shkodër  

Më shumë se një kompliment për krijimtarinë e Muhamed Sytarit

“Gëzim! Sa njeri interesant m’u duk Hafiz Qamili.
Më vjen shumë keq që e njoha, kaq me vonesë.
M’u duk njeri poliedrik dhe me një kulturë të gjerë
në fushën  e orientalistikës. 
Sugjerimet  e  tij, për  Abetaren  e  Daut Boriçit, thuajse  ishin  analoge
me ato të Vexhih Buharasë dhe të Hamdi Bushatit.  
              Për të më shfaqi interes edhe profesor Kolë Ashta.
Mbase e takojmë edhe me të, ndonjë ditë...”[1]               

Akademik Prof. Dr. Jup Kastrati,
                                                              “Mësues i Popullit“-  27 Tetor 1980

Prof. Gëzim UriçiNë universalitetin e të shkruarit të një vepre letrare ndërthuren shumë elementë, që e bëjnë tërheqëse e të këndshme në të lexuar. Por kur bëhet fjalë për një monografi, konceptet letrare duhet të ndërthuren, me shumë elementë statistikorë datash, personalitetesh, referenca të besueshme, etj. Pra, të kenë një suport besueshmërije, që komuniteti shkencor, ta mirëpresë dhe t’i sherbejë, si një referencë për studime të mëtejshme. E pse jo edhe lexuesve të thjeshtë, të cilët duan te zgjerojnë horizontin e tyre, për figurat që i dhanë vendit tonë, në shumë drejtime, si në atë patriotik e shkencor, ashtu edhe në atë fetar.
  
Një vepër e tillë, me të gjitha këto elemente është edhe monografia e fundit e autorit, tashmë të njohur dhe të respektuar, z. Muhamed Sytari, i cili në një hark të shkurtër kohor, nga viti 1998 e deri më sot, ka botuar, jo pak, por shtatë libra, tepër interesantë dhe të vlefshëm për të gjitha shtresat e lexuesve tanë e të të gjitha besimeve. Por unë do të ndalem te botimi i fundit, me titull:  “Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës...“, botim i shtëpisë botuese, “ Camaj-Pipa “, Shkodër – 2006. 
  
Në vitet e hershme të rinisë sime, në lagjen Ndocej të qytetit të Shkodrës, patëm fatin dhe nderin që të kishim komshinjë shumë të nderuar, të cilët lanë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e banorëve të kësaj lagjje, ku ata fetarë ishin më të skaliturit. Ndër këta, doja të veçoja më të ndriturit, si Shaban efendinë, Sali Myftinë, Jusuf efendi Uruçin, Hafiz Ali Tarin, Hafiz Musa Dërgutin e drandofilles, Hafiz Manin e deri tek me i riu, që erdhi në lagjen tonë, Hafiz Qamil Tresin, me të cilin do të më lidhnin shumë probleme shoqërore, politike, religjoze, shkencore, pedagogjike, miqësore e familjare.    
  
Hafiz Qamil Tresin, unë, do ta quaja një njeri, që nuk u mposht kurrë, në jetën e tij, plot privacione e vështirësi nga më të ndryshmet, të cilat pasqyrohen realisht në monografinë e z. Muhamed Sytari, veti këto, që na bënin ta admironim.
  
Atë në çdo moment do ta shikoje me librat e shenjtë ndër duar duke studiuar, si në shtëpinë e  besimtarit të shquar Taip Murreli (Zaganjori) e në shtëpinë tjetër në rrugën Oroshej (Freskej).
  
Ai të impononte një respekt të jashtëzakonshëm, me paraqitjen e tij tepër elegante. Ishte estetik, shumë i pastër dhe tepër punëtor. Ai më respektonte shumë, pasi e dinte se isha njëri prej nipave të Jusuf ef. Uruçit (Podgoricës), deputetit të parë për vilajetin e Shkodrës, në Parlamentin Turk dhe ndër imamët e parë të xhamisë së lagjes Ndocej.
  
Besimi dhe siguria e tij ndaj familjes Uruçi ishte e jashtëzakonshme, gjë të cilën jam munduar t’ia shpërbleja edhe unë deri në ditën që u nda nga kjo jetë.
  
Ai kishte një ligjëratë teologjike të përkryer, që të bënte ta dëgjoje me shumë vëmendje. Kur jepte vasë e psikologjiste mirë xhematin. Termat kur’anore i shpjegonte disa herë e qartë dhe me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë.
  
Vitet ’67, i sollën shumë shqetësime. Institucionet e kultit u mbyllën dhe më pas u zhkatërruan, duke i sjellur shumë pasoja atij dhe hoxhallarëve të tjerë, por ai nuk u demoralizua asnjëherë. Njerëzit e besonin përsëri All-llahun (xh.sh.), ndërsa ai u shërbente plot devotshmëri, deri në ditën e fundit që u nda nga kjo jetë, më 5 tetor 1988.
  
Të gjithë familjarët e tij faleshim dhe kryenin rregullisht të gjitha ritet islame. Mevahibi (i biri), falej dhe agjëronte edhe në mes të pyjeve të thella. Edhe në majat e Bjeshkëve të Namuna dhe në brendësinë e shpellave më të thella të vendit tonë. Për këtë unë isha në dijeni jo vetëm unë, por edhe të gjithë të tjerët. Ata kishin një besim të patundur te Zoti.
  
Në tetorin e vitit 1980, në një takim që pata me Prof. Dr. Jup Kastratin, një nga intelektualët më të shquar të vendit tonë, tek i cili gëzoja një respekt dhe besim të plotë, nga që i dinte relacionet e mia me Hafiz Qamil Tresin, m’u lut që t’i organizoja një takim shkencor me të. Pas disa ditësh takimi u realizua në shtëpinë e profesor Jupit, i cili iu lut që t’i përkthente një material shumë të zgjeruar, në gjuhët orientale, i cili, si kokë kishte një shënim në gjuhën shqipe: “Shënime plotësuese për abetaren shqipe të Daut Boriçit“. Hafizi, e pranoi propozimin e Prof. Jupit dhe menjëherë filloi nga puna. Profesori arriti të siguronte një honorar për punën e tij, por Hafiz Tresi e refuzoi plot fisnikëri, duke iu drejtuar: “Ju qoftë hallall, profesor. Më pëlqejnë njerëzit, që punojnë, për këtë vend të bekuar prej të madhit Zot. Për këtë kam ikur prej Tetovës, për me i shërbyer sa ma shumë Shqipnisë, e kjo më ban me jua ba hallall. Çdo nevojë që të kesh për mua, unë kam me kenë gadi, veç më ço fjalë me profesor Gëzimin...“[2]
  
Në studimet  e mia për bibliotekat, një ndihmesë të madhe më ka dhënë edhe H. Qamil Tresi. Në shumë faqe janë edhe sot referencat me emrin e tij, ku më adresonte në vende të ndryshme, si në Shkup, Tetovë, Strugë , Sofie, etj.
  
Ai në çdo takim, më kërkonte që të isha sa ma kërkues, ndaj fëmijëve të tij, e sidomos për pastërtinë morale.
  
Të gjitha sa thashë këtu, do t’i gjeni të shkruara, plot vërtetësi e me një gjuhë të pastër letrare shqipe, të shprehura plot ëmbëlsi, që të bën të thellohesh në veprat e këtij autori e sidomos në këtë vepër të radhës.
  
Duke u endur ndër faqet e këtij libri monografik, do të takohesh me shumë personalitete të ndritura të shkencës dhe të teologjisë, të cilët, autori na i prezanton natyrshëm dhe me një elokuencë, plot arabeska letrare, plot ngjyra e aroma, veti të një letërsie të kultivuar profetike, ku të përkushtuarve tek All-llahut (xh.sh.), autori i jep një gjallëri dialogotike. Të duket sikur personazhet i ke përpara dhe po kuvendon me to. Lexon për jetën e tyre plot stërmundime në mbrojtje të parimeve të tyre islame, idealeve të tyre, prej besimtarësh dinjitozë e të paepur në rrugëtimet e tyre drejt së vërtetës, drejt rrugës së pastërtisë hyjnore.
  
Duke i mbyllur këto komente të merituara për autorin dhe veprën e tij monografike, për të ndriturin Hafiz Qamil Tresi, i cili bëri të pamundurën për të ruajtur librat e shenjtë, që letërsia dhe literatura e shenjtë islame të mos pësonte proçeset e destruksionit të plotë, por të mbijetonte për të qenë dëshmitarë të një vijimësie disa shekullore të kulturës islame në trojet tona.
  
Si përfundim duhet të themi, se në horizontin e inteligjencës islame, po vjen një brez dinjitoz studiuesish fetarë të përkushtuar, të cilt po e prezantojnë kulturën tonë plot vërtetësi hyjnore. Ata, me botimet e tyre, po ngrejnë një panteon për figurat e ndritura të fesë tonë dhe të kulturës kombëtare. I tillë është teologu ynë i shquar, z. Muhamed B. Sytari, të cilin e uroj, me gjithë zemër që në të ardhmen, të ketë sa më shumë produktivitet fetar, shkencor e letrar, që të na dhurojë edhe shumë vepra të tjera edhe më interesante, për të begatuar fenë tonë dhe kulturën kombëtare.

Shkodër, mars, 2007

[1] Prof. URUÇI G.,  Monografia në dorëshkrim, “Historia e bibliotekave përreth liqenit të Shkodrës”, fq. 277, Shkodër, 2000.                                                         
[2] Po aty.

 

Në rahmet të All-llahut miku ynë Gëzim Uruçi - 17 dhjetor 2012

Në rahmet të All-llahut miku ynë Gëzim Uruçi - 17 dhjetor 2012