Në një prej shënimeve
të tij, Hoxha i jonë Vehbi Sulejman
Gavoçi shkruan: "Nuk themi si disa
njerëz që mësuesi është qiri që digjet
për të ndriçuar rrugën e të tjerëve, jo,
jo; ai është dritë që u ndrit rrugën të
tjerëve, derisa rron vetë, ai vazhdon të
mësojë e të edukojë derisa e lë këtë
jetë".[1]
Gjatë punës dhe studimeve të mija
disa mujore në kërkim të gjurmëve të “tetovaliut”,
Hafiz Qamil Abdyli (Tresi), kam arritur
të argumentoj se edhe Zotëria e tij i
përkiste këtij grup njerëzish që
rrezatojnë mirësi e besim sa janë të
gjallë, kthehen në visare udhëzimi edhe
pasi kanë kaluar nga kjo botë.
Imam Kushejriu, duke folur mbi
sakrificën, durimin dhe angazhimin e
myslimanit në rrugën drejt fitimit të
kënaqësisë së Krijuesit, (detaje që
lexohen dukshëm në jetën dhe veprën e
këtij Hoxhe të nderuar shqiptar) shkruan:
"Kam dëgjuar Mësuesin Ebu Ali Dekkâk
duke thënë: "Ai që e zbukuron të
jashtmen e tij me anë të sakrificës (muxhahede),
do t'ia zbukurojë All-llahu të
brendshmen e tij me anë të shfaqjes (mushahede).
Dhe dije se kush nuk e fillon këtë rrugë
me sakrificë, nuk mund të gjejë këtu, as
edhe një qiri që t'i ndriçojë rrugën".[2]
Sot, teksa së bashku nderojmë
kujtimin e Hafiz Qamil Tresit, është e
udhës t’i tërheqim vëmendjen
njëri-tjetrit drejt madhështisë së
shfaqjes së hoxhallarëve tanë të nderuar,
që e kaluan jetën me durim e sakrificë,
në rrugën e udhëzimit të hallkut, në
kërkim të pëlqimit të Hakut!
Sot, në listën e gjatë të njerëzve
të shquar e me kontribute vlerash të
qytetit tonë të dashur Shkodrës, shtohet
edhe një Hoxhë i nderuar që trashëgoi
dijen, edukatën, moralin dhe besën e
mësuesve të tij, Hoxhallarëve më të
shquar të Shkodrës së mes shekullit të
XX-të.
Sot, teksa dëshmojmë nderimin e
Hafiz Qamil Tresit, dëshmojmë
njëkohësisht nderimin e mësuesve, Haxhi
Muhamed Bekteshi, Hafiz Sabri beg
Bushati etj, e nxënësve të tyre të
nderuar si: Hafiz Sabri Koçi, Hafiz
Sulejman Kraja, Hafiz Ali Shoshi etj, që
mbartën mbi supe amanetin, që lidhi
kohën e tyre me gjurmët dhe dritën e
Resulull-llahit (a.s).
Teksa punoja për përgatitjen e një
botimi mbi jetën dhe gjurmët e Hafiz
Musa Hoxhës, bashkëkohës dhe shok dersi
më Hafiz Qamil Tresin, e pyeta: "Hafiz,
çfarë mungon sot, në krahasim me kohën
tuaj? Ai, më buzëqeshi, rregulloi
çallmën e tij dhe mori të fliste. Tha: "Tash
ka ma shumë libra se at'herë. Edhe
miradí ka ma shumë se at'herë. Por, sot
mungon... A e di se çfarë mungon? E kam
shumë kasavet, po jua tham: Kam lexu
para shumë kohësh një rivajet, ku
Resulull-llahi, duke përmendur shenjat e
kiametit, ka thanë: "Ngrihet dituria,
shtohet injoranca, shtohet kurvnia dhe
ndërtohen xhamitë duke qenë harab
përbrenda"... Kjo mungon sot, frika e
Zotit dhe forca e besimit!"…
Jam i bindur se edhe Hafiz Qamil
Tresi, do ta kishte këtë kasavet në këtë
kohë, ku hipokrizia, servilizmi e
oportunizmi janë kthyer në cilësi
dalluese të njerëzve që duan të ecin
përpara në këtë realitet plot llum
mosbesimi, afetarizmi e tendence
vrastare për të ndryshuar identitetin
dhe shpirtin… Por, shpirti nuk
ndryshohet, nuk shitet, nuk tjetërsohet…
Në fund: Më lejoni t’i drejtohem
kujtimit dhe shembullit të Hafiz Qamil
Tresit me këto vargje të poetit Abdul
Hak Hamiti[3], që
ia kushton Hoxhë Tahsinit. Dëshmojnë në
pak rreshta filozofinë e jetës dhe
veprës së tij:
Koha jonë është koha
e humbjeve vallë
e njerëzve të rrallë
e të mëdhenj?
Ja, Hoxhë Tahsini paska ikur pa kthim,
përsosuria qenka fikur e qenka zhdukur.
O Zot, Ç'qe kjo? Ai qe një i varfër,
që rronte në vetmi.
Qe i përvuajturi, që ia përbuzën
mendimet,
urtak dhe mjek i sëmurë i vetvetes.
Nga të paktit që ishte pak a shumë
afër Zotit,
nën kupën qiellore i
vetmi në qëndresë.
Se tërë skamja e tij përrallore qe vetëm
biblioteka,
dëshmia më bindëse për të vërtetuar
varfërinë e tij.
Fytyrën nuk ia
tregoi nën vel dashuria,
kjo e dashur
tekanjoze qe e Vërteta!
Dashnori më në fund ndërroi jetë,
për t'u bashkuar me të dashurën e tij në
amshim.
Shkodër, 15
dhjetor 2012
organizuar nga Myftinia Shkodër, më 16 dhjetor 2012.
Vehbi Sulejman Gavoçi, "Mirësjellja islame", Shkodër, 1998, fq, 191-192.
[2] Ebul-Kasim El-Kushejri, "Er-Risaletul-Kushejrijje fi ilmit-tesavvuf", botimi i tretë, Damask, 1997, fq. 98.
[3] Moikom Zeqo, "Syri i tretë- Naim Frashëri dhe Bektashizmi", Tiranë, 2001, fq. 181.
|