Nëpërmjet hytbes së
xhumasë në xhaminë e Parrucës, Myftiu i
Shkodrës ka vazhduar të flasë mbi rolin
e shquar të hoxhallarëve shkodranë në
shërbim të besimit dhe shoqërisë
shqiptare.
Duke iu referuar
fakteve historike dhe studimeve të jetës
dhe veprës së hoxhallarëve të shquar të
Shkodrës, Myftiu ka hedhur dritë mbi
madhështinë e hoxhallarëve të Shkodrës,
të cilët “qëndrojnë në themelet e
virtyteve më të mira dhe traditave
shekullore të Shkodrës”.
Në këtë
hytbe, Myftiu ka folur edhe për
shembullin e disa hoxhallarëve në
përpjekjet për mbrojtjen e Shkodrës nga
përpjekjet pushtuese serbo-malazeze.
Myftiu ka thënë se: “Hoxhallarë të
shumtë ranë a u plagosën në betejat e
tyre në luftë për mbrojtjen e Shkodrës
dhe trojeve shqiptare nga
serbo-malazezët, si rasti i dy
hoxhallarëve të nderuar, H. Halil Gavoçi
dhe H. Sulejman Gavoçi, babë e bir, të
cilët “në vitin 1913, kur Shkodra u
rrethua nga forcat serbe e malazeze…
rrokën armët e dolën vullnetarë për
mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan
Riza Pashës”. Po ashtu Sheh Ali Kruja
(1884-1976), që doli dy herë në frontet
për mbrojtjen e Shkodrës nga
serbo-malazezët. Në betejën e tij të
dytë, në vitin 1920, në frontin e
Koplikut, “nga plaga e rëndë humbi syrin
e majtë”.
Myftiu ka përmendur
edhe shembullin e lartë të dijetarit dhe
poliglotit të shquar shkodran, Hafiz
Abaz Golemi. Ka thënë: “Hafiz Abaz
Golemi (1870-1925), “që në vitin 1895
emërohet mësues i persishtes dhe i
besimit në shkollën qytetëse”.
Studiuesit e jetës së tij dëshmojnë se
ai: “Përveç persishtes zotëronte edhe
arabishten, turqishten, frëngjishten,
italishten e serbokroatishten”. Nuk
duhet të harrojmë se: “Në vitin 1913
Komisioni Arsimor i Bashkisë, i kryesuar
nga Xhemal Naipi, kadi i Shkodrës në atë
kohë, hapi tri shkolla shtetërore:
Shkolla Popullore me drejtor Gaspër
Mikeli, e Rusit me drejtor Molla Medo
Sukniqi dhe e Parrucës me drejtor Haxhi
Hafiz Abaz Golemi”.
Myftiu ka
thënë: “Nuk do të ishte utopike që
shkolla e gjuhëve të huaja në Shkodër të
kishte emrin e këtij dijetari të madh e
të shquar, një ndër baballarët e arsimit
model në Shkodër”.
Gjatë kësaj
hytbeje Myftiu ka bërë thirrje për
unitet dhe për evitimin e çdo tendence
përçarëse në mesin e muslimanëve.
Ndërkohë, në hytben e dytë, Myftiu ka
kërkuar nga besimtarët që të luten për
vëllezërit muslimanë në Siri. Ai ka
shpjeguar se tokat e bekuara të Sirisë
dhe populli vëlla sirian, po kalojnë sot
ditë të vështira, plot stres, mungesë në
ushqime, siguri e paqe. Myftiu ka
kërkuar që muslimanët mos t’i kursejnë
lutjet e tyre për vëllezërit tanë në
Siri, si një obligim i shenjtë islam.
|
|
|