Pasditën e së xhumasë,
më 7 dhjetor 2012, Myftinia Shkodër ka
organizuar një aktivitet shkencor në
përkujtim të 10 vjetorit të daljes në
qarkullim të gazetës së përmuajshme “Udha
Islame”, organ mediatik i Myftinisë së
Zonës Shkodër.
Në këtë aktivitet me vlerë, kanë
marrë pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z.
Agron Hoxha (Drejtor i Marrëdhënieve me
Jashtë dhe Media), z. Genti Kruja (Drejtor
i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar) dhe
z. Uran Kalej (Drejtor i Vakf-Investime).
Nderonin me pjesëmarrjen e tyre edhe
Famullitari i Kishës Ortodokse në
Shkodër, At Nikolla Petani, Drejtori i
Bibliotekës, z. Gjovalin Çuni, Kryetari
i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid
Cungu, Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj etj.
Aktiviteti ka nisur me fjalën hapëse
të mbajtur nga teologu Altin Loshi, ku
ka bërë një prezantim të shkurtër të
mesazhit dhe frymës që ka karakterizuar
gazetën në këto 10 vite të para të jetës
së saj.
Në fjalën përshëndetëse, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka sjellur
në mendje të pranishëmve kontributet e
mëdha të hoxhallarëve të Shkodrës në
shkrimin shqip dhe nxitjen e tyre për të
shkruar e dokumentuar shpirtin e
Thirrjes Islame në gjuhën shqipe. Ai ka
uruar mbarësi dhe suksese të mëtejshme
për gazetën dhe misionin e saj.
Në emër të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, ka përshëndetur z. Agron
Hoxha. Fillimisht ka përcjellë urimet
dhe përshëndetjet e përzemërta të
Kryetarit të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, H. Selim Muça. Njëkohësisht
ka vënë theksin te rëndësia që kanë
organet mediatike për një shoqëri që
përpiqet të rregullohet ditë pas dite në
dritën e besimit dhe dijes. Ai ka
falënderuar kontributin dhe rolin e
nismëtarëve për krijimin e gazetës “Udha
Islame” dhe e ka vlerësuar misionin e
saj në këto 10 vite.
Më pas ka referuar teologu Arben
Halluni, kryeredaktor i parë i gazetës “Udha
Islame” dhe shkrimtari Xhahid Bushati,
një ndër bashkëpunëtorët më të afirmuar
të saj.
Në fjalën e tij me temë: “Mesazhe
dhe udhëzime në 10 vjet “Udha Islame”,
z. Arben Halluni ka bërë një përshkrim
të udhëtimit 10 vjeçar të gazetës së
parë të një myftinie në historinë e
aktivitetit të KMSh që nga krijimi i tij.
Ka vlerësuar mesazhet e dijes, besimit
dhe moralit që janë përcjellë në faqet e
saj, numër pas numri, duke krijuar një
realitet të shkruar, që dëshmon përherë
e më tepër vlerat dhe madhështinë e
Thirrjes Islame.
Shkrimtari Xhahid Bushati, në
referatin e tij me temë: “Gjurma dhe
Memoria në faqet e një Buletini”, ka
analizuar daljen e 2 numrave të parë të
botimit më të ri të Myftinisë Shkodër, “Buletin”.
Nëpërmjet një shfletimi të
detajuar të dy numrave të tij, ka
nxjerrë në pah rëndësinë që ka arkivimi
i aktiviteteve dhe zhvillimeve të
ndryshme për një institucion si Myftinia
Shkodër. Njëkohësisht ka vënë theksin te
mesazhet që përcjell ky botim në shërbim
të informimit të besimtarëve dhe
lexuesit në përgjithësi me realitetin
dhe zhvillimet e Myftinisë Shkodër.
Aktiviteti ka kulmuar me nderimin e
10 kontribuuesve më të afirmuar në këtë
10 vjetor të gazetës “Udha Islame”, të
cilët janë vlerësuar me “Mirënjohje” nga
Myftinia Shkodër.
Më pas, për të ftuarit është
shpërndarë numri i ri i gazetës “Udha
Islame”, dy numrat e ri të “Buletin” dhe
libri “Bibliografi “Udha Islame” 50
numrat e parë”. Në një kafe të
përbashkët, janë këmbyer urime dhe lutje
për mbarësinë dhe suksesin e mëtejshëm
të gazetës dhe stafit të saj.
|
|
|
|