Paraditën e së enjtes,
më 6 dhjetor 2012, në ambientet e
xhamisë së Parrucës, është zhvilluar një
takim pune i Myftiut me imamët e
Myftinisë Shkodër.
Gjatë këtij
takimi është diskutuar për shumë çështje
që lidhen me aktualitetin dhe kërkesat e
shumta legjitime, me të cilat Myftinia
Shkodër i është drejtuar Këshillit të
Bashkisë Shkodër dhe institucioneve të
tjera, por që akoma nuk kanë marrë
përgjigjen e duhur.
Myftiu ka
folur fillimisht për
domosdoshmërinë e studimit të jetës dhe
veprës së hoxhallarëve të Shkodrës, si
dhe evidentimin e mëtejshëm të gjurmëve
diturore të lëna prej tyre. Ai ka lënë
detyrë trajtimin e bisedave fetare,
hytbeve të ardhshme etj, në funksion të
këtij qëllimi. Në këtë pikë, Myftiu nuk
ka lënë pa përmendur faktin e hidhur të
neglizhencës dhe lënies në hije të
kontributit të hoxhallarëve shqiptarë
nga politika, me rastin e 100 vjetorit
të Shqipërisë.
Gjatë takimit
është diskutuar gjatë edhe rreth
kërkesës së përsëritur të Myftinisë për
ndryshimin e emërtimit të disa rrugëve,
sidomos aty ku duhet ndërhyrë për
saktësimin e emrave të hoxhallarëve të
nderuar të qytetit. Janë dhënë sqarimet
e duhura rreth çështjes së sheshit “Harmonia”
dhe është kërkuar që të sensibilizohen
xhematet me qetësi, objektivizëm dhe me
argumente në lidhje me këtë kërkesë më
se legjitime. Myftiu ka theksuar se nuk
ka asnjë arsye se përse kjo kërkesë nuk
prezantohet në rend dite në mbledhjet e
Këshillit të Bashkisë Shkodër.
Imamët me këshillat e xhamive dhe
xhemate janë lajmëruar për disa
aktivitete kulturore dhe shkencore që do
të zhvillohen gjatë këtij muaji, në
shërbim të nderimit të personaliteteve
islame të qytetit, si dhe përkujtimi i
datave të shënuara, si 10 vjetori i
gazetës “Udha Islame” etj.
Myftiu
ka vënë në dijeni imamët se Myftinia
Shkodër po punon për organizimin e një
konference islame mbi rregullat e
tolerancës ndërfetare, rregullat e
sjelljes së muslimanit me jomuslimanin,
kufijtë e dialogut ndërfetar etj. Është
kërkuar që imamët teologë të paraqesin
në Myftini temat shkencore dhe mendimet
e tyre, në funksion të këtij qëllimi.
Është diskutuar edhe në lidhje
me tematika të ndryshme që kanë të bëjnë
me jetën fetare në Shkodër dhe rolin
elitar të imamëve dhe Myftinisë Shkodër
në këtë drejtim.
|
|
|