Paraditën e së martës,
më 27 nëntor 2012, Myftinia Shkodër ka
organizuar një konferencë
shkencore-fetare, për të vlerësuar
kontributin jetik të hoxhallarëve të
shquar të Shkodrës ndër shekuj, në
shërbim të shoqërisë shqiptare dhe
vlerave tona kombëtare.
Në
fjalën e tij të hapjes, teologu Arben
Halluni ka vlerësuar se në prag të ditës
së 100 vjetorit të shtetit shqiptar dhe
ngritjes së flamurit kombëtar,
organizohet kjo konferencë për të
vlerësuar rolin e madh dhe kontributin e
shquar të hoxhallarëve të ditur e të
përkushtuar të Shkodrës, në edukimin e
brezave me dashuri për fenë e Zotit dhe
shërbimin e sinqertë për atdheun e
shtrenjtë.
Referati kryesor i
kësaj konference është mbajtur nga
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari,
në të cilin ka nxjerrë në pah
kontributin e hoxhallarëve të shquar të
Shkodrës ndër shekuj në shërbim të
interesave të popullit dhe besimtarëve
në përgjithësi.
Është vlerësuar
kontributi i hoxhallarëve për krijimin e
abetareve shqip me alfabet arab,
alfabeti më i shquar i kohës, roli i
tyre në mbrojtje të Shkodrës nga
agresioni serbo-malazez, drejtimi i tyre
me kompetencë i shkollave shtetërore në
Shkodër, qëndresa ndaj dhunës komuniste,
zotërimi i tyre i gjuhëve të huaja dhe i
bibliotekave madhështore etj.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj, që ka vlerësuar se dashuria për
atdheun dhe kombin i ka rrënjët në
Kur’an dhe në traditën e hz. Muhammedit
(a.s). Ai ka uruar shqiptarët për këtë
100 vjetor dhe është lutur për një
Shqipëri më të fortë e më të përparuar.
Për të pranishmit janë ekspozuar
edhe disa gjurmë të vjetra të
hoxhallarëve të Shkodrës, si dhe është
shpërndarë numri i ri gazetës “Udha
Islame”, ku në faqe të parë të saj është
vendosur flamuri kombëtar i shpalosur
mbi ballinën e xhamisë së Parrucës.
Myftinia Shkodër uron
të gjithë shqiptarët:
“GËZUAR
100 VJETORIN E NGRITJES SË FLAMURIT
DHE ZOTI E MBROJTË
SHQIPËRINË NGA AFETARIZMI
DHE
LARGIMI NGA MORALI I FESË SË TIJ”
|
|
|
|
|
|