Nga minberi i xhamisë
së fshatit Shtoj i Vjetër, të xhumanë,
më 23 nëntor 2012, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka zbardhur vlerat
dhe mirësitë e ditës së Ashurasë.
Fillimisht ka shpjeguar prejardhjen
gjuhësore të fjalës “ashurá”, që në
arabisht do të thotë: “e dhjeta”,
ndryshe: “e dhjeta ditë e muajit
Muharrem”.
Më pas, nëpërmjet
argumenteve të ndryshme, ka shpjeguar se
në këtë ditë, ka ndodhur shpëtimi i hz.
Nuhit (a.s) me anijen e tij nga tufani i
madh e shkatërrimtar. “Edhe origjina e
ushqimit që sot tek ne ka marrë emrin e
kësaj dite, e ka origjinën te hz. Nuhi,
që pasi kishte shpëtuar me besimtarët e
tij, kërkoi prej tyre që të
bashkëpunonin për të gatuar një ushqim,
në shenjë falënderimi ndaj Zotit. Në atë
ushqim u përzien farërat e ndryshme që
sollën besimtarët, si shenjë e
bashkëpunimit dhe angazhimit për të
ndërtuar pas shkatërrimit”- ka thënë
Myftiu.
Ka argumentuar se po në
këtë ditë, shekuj më vonë, All-llahu
(xh.sh) bëri të mundur shpëtimin dhe
triumfin e hz. Musait (a.s) nga Faraoni
dhe ushtarët e tij. “Këtë ditë, jehudët
e Medines e agjëronin në shenjë
falënderimi ndaj Zotit. Kur
Resulull-llahi (a.s) e mësoi këtë,
deklaroi se: “Ne (muslimanët) jemi më
afër Musait” se jehudët dhe urdhëroi të
agjërohet kjo ditë, duke thënë se: “Agjërimi
i Ashurasë shlyen gabimet e vitit të
shkuar”, sikurse transmetohet te Imam
Ahmedi dhe ngjashëm te Imam Muslimi”- ka
shpjeguar Myftiu.
Gjithashtu, -
ka vazhduar -, po këtë ditë, në vitin 61
të hixhretit, ka ndodhur një ndër
ngjarjet më të dhimbshme të historisë
islame, martirizimi i nipit të
Resulull-llahit (a.s), hz. Husejni (r.a)
me familje. “Kjo ngjarje është një
dhimbje e madhe, se si është e mundur që
në këtë botë ka njerëz që guxojnë të
shtrijnë dorën për të shuar familjen e
profetit?! Se si ka njerëz që guxojnë të
shuajnë dritën e besimit, të vërtetën,
shpresën, rrugën e udhëzimit?! Por,
njëkohësisht, kjo ngjarje është një
sinjal i fortë që ymeti islam të
bashkohet dhe të mos mbetet peng i
folklorit të kohëve të përçarjes dhe
ndasive, që s’do t’i miratonte as hz.
Husejni, as gjyshi i tij (a.s)”- ka
përfunduar Myftiu.
Këtë të xhuma,
në xhaminë e Shtojit të Vjetër, Myftiu
ka inauguruar edhe minberin e ri të
kësaj xhamie.
|
|