Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Pasditën e së mërkures, më 21 nëntor 2012, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur në një takim zyrtar ambasadoren e Francës në vendin tonë, znj. Christine Moro.
 
Fillimisht, Myftiu i ka uruar znj. Moro mirëseardhjen në Shkodër dhe në Myftininë e saj, duke shpresuar që kjo vizitë të jetë një urë e re komunikimi drejt vlerave të besimit, kulturës dhe dialogut ndërfetar e ndërkulturor.
 
Myftiu e ka njohur ambasadoren franceze me misionin që ka Myftinia Shkodër në afrimin e njerëzve me mësimet e fesë dhe vlerat e saj. Ai ka theksuar se është me rëndësi të cilësohet se mesazhet e harmonisë dhe të bashkëjetesës që u përcjellim njerëzve, shërbejnë për të kultivuar mirësi dhe paqe në shoqëri.
 
Më pas, jashtë pranisë së mediave, dy bashkëbiseduesit kanë biseduar për rreth një orë rreth temave që kanë të bëjnë me problematikat që vihen re në jetën e komuniteteve fetare, fenomenin e gjakmarrjes, marrëdhëniet ndërfetare në Shkodër, aspiratat e Myftinisë Shkodër etj.
 
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Myftiu ka theksuar se fatkeqësisht, akoma sot pas 45 viteve nga sekuestrimi, tjetërsimi dhe dhunimi i pronave të komunitetit musliman në Shkodër, shteti nuk e ka kryer si duhet detyrën e tij ndaj muslimanëve. Ai ka theksuar se akoma sot, këto prona kanë mbetur peng e burokracive dhe mentaliteteve të vjetra me të cilat përballemi ditë pas dite.
 
Myftiu ka shprehur keqardhjen e tij që klasa politike në Shkodër dhe përtej saj, nuk e ka arritur pjekurinë e duhur në marrëdhënie me komunitetet fetare. Ai ka thënë se klasa politike duhet të lartësohet në gradët e pjekurisë, sa të dijë të kuptojë dhe të respektojë kufijtë në marrëdhënie me komunitetet fetare.
 
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij nga klasa politike e Shkodrës, që edhe pas propozimit të Myftiut që sheshi kryesor i Shkodrës të marrë emrin “Harmonia”, Këshilli Bashkiak u step, duke mos pasur kurajon intelektuale dhe qytetare ta prezantojë si kërkesë në mbledhjen e fundit para 100 vjetorit të pavarësisë.
 
Gjatë këtij takimi është folur edhe për fenomenin e gjakmarrjes, ku Myftiu e ka informuar ambasadoren franceze për gatishmërinë e Myftinisë Shkodër për të dhënë kontributin e duhur në drejtim të parandalimit të këtij fenomeni, gjë që vazhdon ta bëjë me shumë vendosmëri, si pjesë e misionit të tij.
 
Sipas Myftiut të Shkodrës, ka ardhur koha që lënda e besimit fetar të jetë pjesë e kurrikulave të shkollave në Shqipëri, në mënyrë që brezi i ri të rritet dhe të edukohet me frymën e besimit dhe vlerat e tij, gjë që nuk prek laicitetin e shtetit demokratik që respekton fetë dhe besimet e ndryshme.
 
Në fund të takimit, dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer dhuratat, në shenjë kujtimi të kësaj vizite.

 

Myftiu pret për vizitë ambasadoren e Francës Christine Moro - 21 nëntor 2012

Myftiu pret për vizitë ambasadoren e Francës Christine Moro - 21 nëntor 2012

Myftiu pret për vizitë ambasadoren e Francës Christine Moro - 21 nëntor 2012

Myftiu pret për vizitë ambasadoren e Francës Christine Moro - 21 nëntor 2012