Ditën e enjte, më 15
nëntor 2012, mbarë bota islame përkujton
fillimin e vitit të ri hixhri, që përkon
me 1434 vjetorin e emigrimit të Hz.
Muhammedit (a.s) nga vendlindja e tij
Mekka, drejt qytetit Tajbe, që u quajt
më vonë Medine.
Me këtë rast,
pas namazit të iqindisë së kësaj dite,
Myftinia Shkodër ka organizuar në
xhaminë e Plumbit një tribunë fetare, ku
është përkujtuar kjo ngjarje e
rëndësishme e historisë islame.
Aktiviteti ka nisur me fjalën hapëse të
mbajtur nga teologu Arben Halluni, në të
cilën pasi ka uruar të pranishmit për
këtë ditë, ka theksuar domosdoshmërinë e
përkujtimit të hixhretit si një shkollë
përkushtimi në jetën e besimtarëve.
Më pas, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka shpjeguar qëllimin e kësaj
tribune përkujtimore, duke tërhequr
vëmendjen se hixhreti është konsideruar
si ngjarja që ndryshoi rrjedhën e
historisë së njerëzimit. Ai ka theksuar
gjithashtu se për muslimanët shqiptarë,
liria e besimit dhe e fjalës, është
shumë e shtrenjtë, aq më shumë pas një
periudhe të errët, ku besimi u luftua
dhe njerëzit u detyruan të mohonin Zotin.
Teologu Naim Drijaj, ka mbjatur
temën: “Hz. Ebu Bekri dhe Hz. Aliu;
shembuj të besnikërisë ndaj
Resulull-llahit”, ku ka sjellë shembuj
konkretë nga besnikëria e dy prej
njerëzve më të afërt të Hz. Muhammedit (a.s)
ndaj Zotërisë së bijve të Ademit.
Më pas, teologu Bashkim Bajraktari ka
hedhur dritë mbi kuptimet e ajetit
kur’anor: “Mos u dëshpëro, All-llahu
është me ne”, ku ka theksuar se Zoti i
gjithësisë i tregoi të dërguarit të Tij
dhe mbarë njerëzisë se mbështetja e
Zotit vjen në momentin e duhur, si
triumf dhe mbështetje hyjnore, në
momentet më të vështira të jetës.
Në fund, teologu Ruzhdi Plangaj ka bërë
mbylljen e këtij tubimi të begatë, duke
dhënë disa këshilla të dobishme për të
përfituar nga këto ditë të shënuara, si
momente kthese në jetën e besimtarit.
|
|
|
|
|
|
|