Pasditën e së
mërkures, më 7 nëntor 2012, Myftinia
Shkodër ka organizuar promovimin e
përkthimit në shqip të librit: “Probleme
në rrugën e jetës islame”, të dijetarit
të shquar egjiptian Muhammed El-Gazali.
Aktiviteti ka nisur me fjalën e
teologut Arben Halluni, në të cilën ka
hedhur dritë mbi jetën dhe veprën e
dijetarit të shquar, të njohur ndryshe
si: Gazaliu i ri, i cili konsiderohet si
një ndër mendimtarët dhe thirrësit
islamë më të afirmuar në botën islame
gjatë pjesës së dytë të shekullit XX.
Më pas ka referuar Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari. Në temën e
tij: “Probleme në rrugën e jetës islame”,
një libër me vlerë në duart e rinisë
islame…, ka folur mbi rëndësinë që ka
sot përkthimi në shqip i veprave të
dijetarëve të shquar dhe thirrësve të
afirmuar si: Shejkh Muhammed El-Gazali,
në rrugën e formimit të një shoqërie
islame të shëndoshë, plot shembuj
diturie dhe përkushtimi.
Myftiu
ka theksuar se: “Në tërësinë e librave
dhe thirrjes së tij, Shejkh Gazali është
përpjekur të edukojë individin musliman
me një akide të shëndoshë, nëpërmjet së
cilës të jetë i vetëdijshëm për besimin
e tij në Zot. Karakteristike e shkrimeve
të tij është përdorimi i shembujve
logjikë dhe atyre personal nga jeta dhe
eksperienca, për të mundësuar mbërritjen
e idesë tek lexuesi a bashkëbiseduesi.”
Aktiviteti ka vijuar me fjalën e
përkthyesit të këtij libri, thirrësit
islam Imam Lavdrim Hamja. Në të, ai
është ndalur te shkaqet që sollën
përkthimin e këtij libri, të cilin e ka
konsideruar si shumë të vlefshëm për
lexuesin shqiptar të këtyre kohëve.
Më pas, përkthyesi ka hedhur dritë mbi
shpirtin e thirrjes së Shejkh Muhammed
El-Gazaliut, duke e prezantuar atë si
një njeri shumë të ditur, një edukator
bashkëkohor dhe i thelluar në problemet
e ymetit islam, për të cilat dha
zgjidhjet e tij në veprat e shumta që la
pas.
Në fund të aktivitetit, për
të ftuarit në promovim, u dhurua libri “Probleme
në rrugën e jetës islame”.
|
|
|
|