Mbrëmjen e së martës,
më 6 nëntor 2012, pas namazit të
akshamit, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka zhvilluar një takim me
medresistët që jetojnë në konviktin e
Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega djem.
Në fjalën e tij, para medresistëve,
Myftiu është përqendruar te mirësia e
udhëzimit, besimit dhe dijes. Ka thënë
se koha është në favor të atyre që e
kërkojnë dijen me sinqeritet për Zotin.
Njëkohësisht ka kërkuar nga medresistët
që të shfrytëzojnë kohën, shëndetin dhe
dijen e dobishme që marrin ditë pas dite,
për të ecur përpara në jetë si individë
të shëndetshëm, që e duan Zotin dhe i
frikësohen Atij.
Gjatë fjalës së
tij, Myftiu ka përmendur edhe faktin se
rinia e sotme ka nevojë për Zotin dhe
dashurinë e Tij, për të jetuar në paqe
dhe në prehje shpirtërore. “Çfarë
alternative ka në jetën e dikujt që i ka
kthyer shpinën Zotit, a që nuk e ka
gjetur rrugën e duhur drejt Tij?
Ndërkohë ju, falë Zotit, jeni në rrugën
e duhur për të mësuar dhe për t’u
thelluar në dashurinë e Tij!”- ka thënë
Myftiu.
Pas fjalës dhe
këshillave të dhëna, Myftiu i është
përgjigjur edhe pyetjeve që medresistët
i kanë drejtuar në lidhje me çështje të
ndryshme që lidhen me jetën e përditshme
dhe marrëdhënien me Zotin.
|
|
|
|