Në atmosferën e
ngrohtë të Festës së Kurban Bajramit,
ditën e xhuma, më 26 tetor 2012, Myftiu
i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
mbajtur hytben e xhumasë në xhaminë e
Kirasit.
Në fjalimin e hytbes së mbajtur me
këtë rast, Myftiu ka folur mbi
shembullin e Hz. Ibrahimit (a.s) dhe atë
të Hz. Muhammedit (a.s), të cilët janë
dy profetët e vetëm shembulltyrën e të
cilëve jemi urdhëruar ta ndjekim në
mënyrë më të theksuar në Kur’an.
Gjatë hytbes, Myftiu ka bërë disa
krahasime nga jeta e secilit prej dy
profetëve më të mëdhenj të historisë së
njerëzimit, duke theksuar se ka ardhur
koha që muslimanët shqiptarë të ecin në
shembullin e duhur në mbrojtje të
identitetit të tyre, shembullit besimor
dhe krenarisë së të qenurit muslimanë.
Myftiu ka thënë se Kurban Bajrami
është një ngjarje e mrekullueshme që na
bën të reflektojmë me veten, duke na
bërë të analizojmë nivelin e besimit,
sjelljen dhe veprën dhe a shkojnë ato
sipas pëlqimit të All-llahut apo jo.
Ndërkohë, në hytben e dytë,
është ndalur edhe te problemi i madh i
vakëfit të zaptuar të kësaj xhamie, ku
ka konfirmuar edhe një herë angazhimin e
Myftinisë Shkodër për të kthyer në
origjinën e duhur çdo pëllëmbë vakëf të
zaptuar, duke mos toleruar asnjë rast.
|
|
|