Mbrëmjen e së enjtes,
më 25 tetor 2012, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka qenë i ftuar i
gazetarit Simon Shkreli në emisionin e
tij të përjavshëm “Hapur”, në Tv1
Channel.
Për më se një orë, gazetari ka
bashkëbiseduar me Myftiun, duke u
përqendruar te disa tema që lidhen
kryesisht me vlerën e festave fetare,
fenomenet negative me të cilat po
përballet shoqëria shqiptare këto ditë,
fenomenin e gjakmarrjes, propozimin e
Myftiut drejtuar Këshillit Bashkiak
Shkodër që sheshi kryesor i qytetit të
marrë emrin “Sheshi Harmonia”, për
marrëdhëniet ndërfetare dhe harmoninë në
Shkodër, mbi festimin e Kurban Bajramit
në dy ditë etj.
Gjatë këtij bashkëbisedimi Myftiu ka
bërë thirrje që edukata fetare të bëhet
pjesë e arsimit fillor dhe të ketë një
lëndë të posaçme në shkollat shqiptare,
si shembulli i shkollave në Evropë.
Myftiu ka thënë se ajo që ndodh ditë pas
dite në Shqipëri tregon më së miri
nevojën që ka kjo shoqëri për besimin në
Zotin dhe frikën ndaj Tij, që duhet t’u
injektohet fëmijëve që në shkollën
fillore.
Myftiu ka përmendur se fenomenet e
shumta negative që kanë përfshirë
shoqërinë shqiptare janë rezultat i një
fryme ateiste të çmendur, me të cilën
shqiptarët janë bombarduar për dekada të
tëra dhe prej së cilës e kanë të
vështirë të pastrohen nëse feja dhe
edukimi fetar nuk merr vendin që i takon
në këtë shoqëri.
Myftiu ka folur edhe për gjakmarrjen,
ku ka theksuar se muslimanët e kanë
shembullin më të mirë për të falur e për
të mëshiruar, duke iu referuar profetit
Muhammed (a.s), i cili dha shembullin e
tij personal duke falur gjakun e axhës
së tij.
Duke folur mbi propozimin e tij që
sheshi kryesor i Shkodrës të ketë emrin
“Sheshi Harmonia”, Myftiu ka theksuar se
në këtë 100 vjetor të Shqipërisë, është
momenti i duhur që drejtuesit e këtij
vendi të tregojnë respektin dhe nderimin
e tyre për drejtuesit fetarë dhe
misionin e tyre, duke e dëshmuar këtë me
fakte konkrete, si në miratimin e
propozimit të lartpërmendur. Myftiu ka
thënë se propozimi për sheshin në fjalë
i shërben vlerave kombëtare dhe
harmonisë fetare në vend, sikurse bëhet
një shembull tërheqës edhe për vizitorët
nga jashtë vendit tonë.
Në fund, Myftiu i është
përgjigjur gazetarit edhe për festimin e
bajramit në dy ditë, duke theksuar se
media të caktuara, duke qenë edhe
injorante e nocioneve teologjike e
fetare, kanë ngjallur panik ndër njerëz
për një fenomen që nuk u shfaq sot për
herë të parë as të fundit, por që
gjithsesi duhet të zgjojë vëmendjen e
muslimanëve në botë drejt gjetjes së
rrugëve për anashkalimin e tij.
|
|
|
|