Pasditën e së shtunës,
më 20 tetor 2012, në prag të Kurban
Bajramit, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari, ka thirrur në një takim pune,
imamët e qytetit të Shkodrës, ata të
Postribës dhe teologët e Këshillit të
Myftinisë Shkodër.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë
konsultimi në lidhje me ditën e Kurban
Bajramit dhe programeve që e pasojnë atë.
Pas diskutimeve të gjata, Myftiu dhe
imamët kanë rënë dakord që dita e parë e
Kurban Bajramit, sipas kalendarit të
unifikuar të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë dhe Bashkësive Islame të
Kosovës dhe Maqedonisë, të jetë të
enjten, më 25 tetor 2012.
Është rënë dakord që namazi i
sabahut dhe ceremonia e Kurban Bajramit
të zhvillohen në sheshin bri xhamisë “Ebu
Bekër”, si një traditë tashmë e
konfirmuar dhe e përsëritur në bajramet
e viteve të fundit.
Është caktuar që namazi i sabahut do
të falet në orën: 6.45. Më pas, për
rreth një orë, imamë dhe teologë të
Shkodrës do të mbajnë biseda fetare
rreth vlerës së besimit, kurbanit dhe
haxhit. Në orën: 7.45, do të bëhet falja
e Kurban Bajramit dhe do të mbahet
hytbeja e tij.
Pritja tradicionale e Kurban
Bajramit, për autoritetet dhe besimtarët,
do të bëhet në xhaminë e Parrucës, në
hapësirën kohore 10.00 – 11.30.
Myftinia Shkodër
ju uron: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!
|
|
|
|
|