Mesnatën e së xhumasë,
më 19 tetor 2012, Myftiu i Shkodrës,
imamët e xhamive kryesore të qytetit dhe
fshatit, besimtarë dhe familjarë të
ndryshëm, kanë marrë pjesë në ceremoninë
e përcjelljes së haxhilerëve shkodranë
të këtij viti.
Me këtë rast, para nisjes, Myftiu i
Shkodrës ka mbajtur një përshëndetje të
ngrohtë, ku ka porositur haxhilerët që
të përfitojnë sa më tepër gjatë këtij
udhëtimi, të kenë durim dhe të
shfrytëzojnë kohën për të arritur
kënaqësitë e këtij adhurimi.
Myftiu i ka prezantuar haxhilerët
edhe me shoqëruesin e tyre në këtë
udhëtim, teologun e nderuar z. Lauren
Luli, i cili është ngarkuar nga
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, së
bashku me disa myftilerë dhe imamë të
nderuar, për shoqërimin e haxhilerëve
shqiptarë në haxhin e këtij viti.
Haxhilerët i ka përshëndetur edhe
Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër,
z. Maxhid Cungu. Në fjalën e tij, z.
Cungu ka shprehur urimet e tij më të
mira për grupin e haxhilerëve të Qarkut
Shkodër, duke shpresuar që ky udhëtim të
jetë sa më i mbarë dhe të kthehen
shëndosh e mirë, me begatimet e haxhit.
Në prag të nisjes, Myftiu ka bërë
një duá, ku është lutur për haxhilerët e
Shkodrës dhe të Shqipërisë, për një haxh
të pranuar dhe të begatë.
Në mesnatë, haxhilerët e Shkodrës
janë nisur drejt Prishtinës, prej ku do
të fluturojnë drejt Xheddas e më pas
drejt Mekkës, për të nisur ritualet e
haxhit të këtij viti.Rrugë të mbarë të
dashur haxhilerë të Shkodrës, të mbarë
Shqipërisë!
|
|
|
|