Për tre netë me radhë,
në datat 11-12-13 tetor 2012, Myftinia
Shkodër ka organizuar një trajnim
fetaro-kulturor për 32 haxhilerët e rinj
të këtij viti që do të udhëtojnë nga
Shkodra drejt vendeve të shenjta për
kryerjen e ritualeve të haxhit.
Për tre netë me radhë, pas namazit
të akshamit në xhaminë e Parrucës,
teologu Ylli Buraniqi ka dhënë udhëzimet
dhe shpjegimet e duhura për vizitorët
nga Shkodra, të vendeve të shenjta, për
haxhin e këtij viti.
Gjatë këtij trajnimi, haxhilerët e
rinj janë informuar me kushtet e haxhit
dhe të umres, rregullat që duhen ndjekur
e zbatuar, ndalesat e haxhit dhe
çështjet e ndryshme fetare që lidhen me
kryerjen e këtij adhurimi të madh.
Njëkohësisht, janë bërë edhe
praktikime konkrete, duke provuar
njohuritë dhe mësimet e fituara gjatë
këtij trajnimi të vyer tre ditor.
Mbrëmjen e së shtunës, atë të
mbylljes, i pranishëm ka qenë edhe
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
Në fjalën e tij para të pranishëmve,
pasi ka falënderuar imamin e xhamisë
Kiras, teologun Ylli Buraniqi për
kontributin e tij dhe udhëzimet e dhëna
gjatë këtyre tre netëve, ka theksuar se
ky është viti i dytë që Komuniteti
Mysliman i Shqipërisë organizon
udhëtimin, udhëzimin dhe sistemimin e
haxhilerëve shqiptarë në mënyrën më të
mirë të mundshme. Ka theksuar se gjatë
këtij udhëtimi të veçantë, haxhilerët do
të kenë udhërrëfyes të përzgjedhur nga
K.M.Sh, për lehtësimin e kryerjes me
sukses të haxhit.
Njëkohësisht, ka lajmëruar se
ditën e xhuma, më 19 tetor 2012, do të
bëhet shpërndarja e pasaportave dhe
ihrameve për haxhilerët shkodranë të
këtij viti, menjëherë pas faljes së
namazit të xhumasë në xhaminë e Parrucës.
Ndërkohë, nisja e tyre do të bëhet po
atë ditë, nga xhamia e Parrucës, në orën
22.00.
|
|
|
|