Pasdrekën e së
shtunës, më 13 tetor 2012, në fshatin
Trush, komuna Bërdicë, është zhvilluar
ceremonia e hedhjes së themeleve për
xhaminë e re të kësaj xhamie.
Pas faljes së namazit të mesditës në
xhaminë ekzistuese, të pranishmit kanë
dalë në sheshin e vakëfit të kësaj
xhamie për të ndjekur ceremoninë e
hedhjes së themeleve të xhamisë së re.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen të
pranishëmve dhe të ftuarve të nderit,
imami i kësaj xhamie, z. Jetmir Braqi,
ka theksuar se kjo është një ditë e
gëzuar për krejt banorët e Trushit, që
do të pajisen me një xhami të re e
bashkëkohore.
Më pas kanë përshëndetur Kryetari i
Komunës Bërdicë, z. Besnik Brahimi,
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
Drejtori i shoqatës ALSAR,
ndërmjetësuese për sponsorizimin e
xhamisë së re, z. Mehdi Gurra, Atasheu
turk, z. Shaban Ishlek, Kryetari i
Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid
Cungu etj., të cilët kanë ndarë gëzimin
dhe nderin e pjesëmarrjes në këtë ditë
të shënuar për besimtarët dhe
komunitetin e kësaj zone. Në fjalët e
tyre është vlerësuar roli i xhamisë, i
Myftinisë Shkodër dhe i shoqatave
bamirëse për ndërtimin e urave
vëllazërore në shoqëri dhe edukimin e
brezave me frikën e Zotit dhe dëshirën
për të ndërtuar, larg të keqes.
Ndonëse në një atmosferë me
rreshje të dendura shiu, të pranishmit
kanë ndjekur me shumë emocion ceremoninë
dhe kanë ndarë kënaqësinë e hedhjes së
themeleve për ndërtimin e xhamisë së re,
e cila do të ketë një kapacitet prej 400
vendesh dhe do të ndërtohet sipas një
arkitekture osmane, duke qenë e para
xhami në Shqipëri me një projekt të
tillë.
|
|
|
|
|