Në kuadër të 100
vjetorit të pavarësisë dhe me shkas
përkujtimin e personaliteteve islame që
luajtën një rol të jashtëzakonshëm në
ndërtimin e profilit tonë kombëtar, nisi
sot punimet në Tiranë, konferenca
shkencore mbarëshqiptare: “Kontributi i
prijësve myslimanë në formësimin e
vetëdijes dhe identitetit tonë kombëtar”.
Pa dyshim që organizimi i kësaj
konference përbën një lajm shumë të mirë
për mbarë faktorin musliman shqiptar;
është një aktivitet cilësor, që mbledh
në Tiranë përfaqësuesit më të lartë të
bashkësive dhe komuniteteve islame të
trevave shqiptare. Është tregues i
harmonisë, vëllazërisë dhe dëshirës së
mirë për të dhënë një kontribut të vyer,
një shembull të domosdoshëm dhe një
thirrje të pastër drejt vlerave islame
dhe shpirtit të tyre të pashoq.
Konferenca: “Kontributi i prijësve
myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe
identitetit tonë kombëtar”, detyrimisht
që do të shpalosë edhe një herë rolin e
madh dhe elitar që kanë pasur
hoxhallarët me besimin dhe botën e tyre,
intelektualët muslimanë me cilësitë e
tyre dhe aktivitetin shumëdimensional,
në formësimin e vetëdijes tonë kombëtare,
mbjelljen e frymës së harmonisë,
mirëkuptimit dhe dashurisë së njeriut
për vëllanë e tij njeri.
Konferenca në fjalë, është
njëkohësisht një thirrje e pastër për
prijësit e sotëm muslimanë, që të ecin
në gjurmët e paraardhësve të tyre, duke
kontribuar ditë pas dite për një shoqëri
shqiptare më të disiplinuar me besim dhe
dashuri për një atdhe të përbashkët, ku
secili të ndërtojë, me aq sa ka mundësi,
jo të shkatërrojë, në emër të lirive dhe
të drejtave njerëzore.
Konferencës në fjalë i shton hijeshi
dhe dritë gjurmësh që s’duhen harruar,
edhe dalja dinjitoze e enciklopedisë
“100 personalitete shqiptare të kulturës
islame”, mbi jetën dhe veprën e 100
personaliteteve të shquara të besimit
dhe kulturës islame në trojet shqiptare,
që në harkun kohor të këtyre 100 viteve,
ditën të dëshmojnë forcën e besimit dhe
mbështetjes në Zotin për të ndërtuar dhe
mbjellur vlera dhe dashuri në shoqërinë
shqiptare.
Në fund, më duhet të shfaq një
falënderim krejtësisht të merituar për
organizatorët; Kryesinë e Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, atë të
Bashkësisë Fetare në Republikën e
Maqedonisë dhe Bashkësinë Islame të
Kosovës dhe drejtuesit e tyre,
respektivisht: H. Selim Muça, H.
Sulejman ef. Rexhepi dhe Mr. Naim
Tërnava, që bënë të mundur këtë shfaqje
të lartë të besimit dhe unitetit
kombëtar, nëpërmjet rrugëve të dijes,
besimit, harmonisë dhe bashkëpunimit për
ruajtjen e gjurmëve që dritësojnë
rrugëtimet e një kombi, një atdheu, një
bashkësie besimi!
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i
Zonës Shkodër
|
|
|
|