Ditën e xhuma, më 21
shtator 2012, nëpërmjet minberit të
xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka folur mbi vlerën
dhe rëndësinë që ka përmendja e
vazhdueshme e hz. Muhammedit (a.s),
nëpërmjet shtimit të salavatit. Ai ka
theksuar se: “Studenti musliman që
vazhdimisht bie salavat, mendon për
fjalët e profetit që nxisin kërkimin e
dijes dhe lartësimin në gradët e
përkushtimit nëpërmjet rrugëve të dijes.
Tregtari musliman që vazhdimisht bie
salavat, kujton ajetet që i zbrisinin
profetit, nëpërmjet të cilave i kërkohet
tregtarëve të jenë të ndershëm e të
drejtë kur peshojnë e shesin. Po ashtu
gjykatësi, deputeti, njeriu i thjeshtë,
gruaja e burri, i riu dhe e reja, sa
herë që e ruajnë vazhdimësinë e
salavatit, mendohen që të jenë më të
mirë e më të drejtë në jetën e tyre”.
`
Myftiu ka folur edhe për gjurmët e
islamofobisë, që po përhapet gjithandej
në vende të ndryshme të botës. Ka
përmendur edhe Francën, ku u ka kujtuar
besimtarëve, se kur kalifi i drejtë
Harun Reshidi i dhuronte mbretit të
Francës një orë me ujë, të shpikur nga
muslimanët, Sharlamani frikësohej prej
saj duke menduar se në brendësi të saj
ka një xhind. “Kësisoj edhe sot, ata
që tentojnë të tallen e të fyejnë
personalitetin e Resulull-llahit, në të
vërtetë vërtetojnë se akoma kanë mbetur
në epokën e injorancës, femohimit dhe
çthurrjes intelektuale”- ka thënë
Myftiu.
Ai ka nxitur muslimanët e Shkodrës
që të dhurojnë gjak për fëmijët
talasemikë, duke u kujtuar atyre se
porositë e Kur’anit, që na i mësoi
profeti, na udhëzojnë se kush shpëton
një njeri është si të ketë shpëtuar tërë
njerëzimin.
Pas faljes së namazit të xhumasë,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari
është regjistruar si vullnetari i parë
për të dhuruar gjak. Me dhjetëra të rinj
e të reja e kanë pasuar atë, duke
dëshmuar një sensibilizim të lavdëruar
me fëmijët dhe njerëzit e sëmurë
talasemikë.
Pas dhurimit nga
gjaku i tij, Myftiu ka dhënë një
intervistë për mediat lokale, ku ka
shpjeguar se ky sensibilizim vjen në një
kohë të duhur dhe dëshmon shpirtin e
solidaritetit të muslimanëve me njerëzit
e sëmurë e në nevojë.
|
|
|
|
|
|