Pasditën e së enjtes,
më 20 shtator 2012, Myftinia Shkodër ka
organizuar një aktivitet kulturor në
ndjekje të gjurmëve të profetit Muhammed
(a.s). Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë
shfaqja e filmit “Mesazhi Islam”, me
dublim në shqip, në kinema “Millennium”,
shoqëruar edhe me shpërndarjen e disa
qindra kopjeve të librave që flasin mbi
jetën dhe dashurinë e të dërguarit të
fundit të All-llahut, hz. Muhammedit
(a.s).
Para shfaqjes së filmit, teologu
Arben Halluni ka shpjeguar se ky
aktivitet vjen në vazhdën e frymës së
përhapjes së mesazheve të pastra të fesë
islame dhe dashurisë për të dërguarin e
All-llahut.
Më pas, për rreth tre orë, qindra të
ftuar kanë përjetuar emocione të
mrekullueshme besimi, duke ndjekur dhe
shijuar momentet më të bukura nga jeta
dhe thirrja islame e hz. Muhammedit
(a.s) dhe sahabëve të tij besnikë.
Në përfundim të filmit, me shumë
emocion, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka theksuar se ky film dhe kjo
atmosferë është dëshmi e besimit dhe
besnikërisë së muslimanëve të Shkodrës
dhe mbarë Shqipërisë ndaj mësimeve dhe
fesë së hz. Muhammedit (a.s).
Me këtë rast, Myftinia Shkodër ka
shpërndarë për pjesëmarrësit edhe tre
tituj librash që flasin mbi jetën dhe
thirrjen e profetit Muhammed (a.s).
Ndonëse ishin ftuar nga Myftinia
Shkodër për të marrë pjesë në këtë
aktivitet elitar, paradoksalisht,
munguan Kryetari i Bashkisë Lorenc Luka,
Prefektja e Qarkut Voltana Ademi,
Kryetari i Këshillit të Qarkut Maxhid
Cungu, Kryetari i Këshillit Bashkiak
Bardhyl Lohja dhe Kryetari i grupit të
PD në Këshillin Bashkiak Qashif Hoxha.
Aktiviteti në fjalë ishte një
dëshmi e lartë e besimit, sinqeritetit
dhe përkushtimit të muslimanëve
shkodranë në hak të profetit të tyre.
|
|
|
|
|
|
|