Ditën e hënë, më 17
shtator 2012, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka zhvilluar një takim
pune me imamë të qytetit dhe zonës
Shkodër. Në këtë takim është diskutuar
për një sërë çështjesh që lidhen me
disiplinën e jetës fetare dhe
përmirësimin e imazhit të xhamisë dhe
mesazheve që ajo përcjell për njerëzit.
Është folur edhe për filmin që prek
personalitetin e hz. Muhammedit (a.s)
dhe mesazhet e fesë islame, duke abuzuar,
fyer e denigruar. Në këtë pikë, të
gjithë imamët kanë qenë të mendimit se
përbaltja dhe abuzimi me personalitetin
e profetit është një vepër e
patolerueshme dhe e pështirë. Imamët
kanë shprehur mendimet e tyre
sensibilizuese me të gjitha përpjekjet
që po bëhen sot për të dëshmuar lidhjen
e muslimanëve me profetin dhe fenë e
tyre, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme
teologjike e kulturore.
Myftiu ka shpjeguar se në kuadrin e
këtyre aktiviteteve, Myftinia Shkodër ka
planifikuar të zhvillojë disa organizime,
nëpërmjet të cilave të ofrojë para
duarve të besimtarëve dhe jo vetëm,
modelin e hz. Muhammedit (a.s), si
shëmbëlltyrë e vyer për mbarë njerëzimin.
Është lajmëruar shfaqja e filmit “Mesazhi
Islam” i dubluar në shqip, ditën e enjte,
më 20 shtator 2012, ora 17.30 në kinema
“Millennium”, Shkodër, si dhe
transmetimi i këtij filmi në një prej
kanaleve lokale të Shkodrës në një prej
ditëve të afërta.
Njëkohësisht, Myftiu ka udhëzuar
se të xhumanë e datës 21 shtator 2012,
në të gjitha xhamitë e Shkodrës të
mbahen hytbe që kanë në qendër të tyre
moralin dhe shembullin e lartë të hz.
Muhammedit (a.s) në shoqëri.
|
|
|