Pasditën e së enjtes,
më 13 shtator 2012 është zhvilluar
mbledhja e radhës e Këshillit të
Myftinisë Shkodër. Në rend të ditës ka
qenë analiza e muajit Ramazan, zhvillimi
i vakëfit, jeta fetare dhe kulturore në
muajt vijues, përgatitja për 10 vjetorin
e gazetës “Udha Islame”, shfrytëzimi i
ditëve festive dhe datave jubilare për
prezantimin sa më dinjitoz të mesazheve
islame në Shkodër etj.
Fillimisht, Myftiu Imam Muhamed
Sytari ka lexuar raportin përfundimtar
të aktivitetit të muajit Ramazan. Gjatë
tij janë spikatur aktivitetet, risitë,
ceremonitë e ndryshme, tribunat fetare,
iftaret, takimet me imamët, ceremonia e
Fitër Bajramit etj.
Është
diskutuar edhe realiteti i disa xhamive
gjatë Ramazanit, ku është folur edhe për
nevojën e marrjes së masave për
eliminimin e disa pasaktësive dhe
devijimeve nga kalendari i agjërimit, si
dhe disiplinimi i këndimit të ezanit në
xhamitë e Shkodrës.
Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe
çështja e vakëfit dhe shfrytëzimi i tij
në shërbim të interesave islame të
Myftinisë Shkodër. Është theksuar se
duhet rritur angazhimi për rikuperimin e
gabimeve të bëra në kohë, si dhe
ndryshimi i ecurisë së Myftinisë në këtë
drejtim.
Këshilli i Myftinisë Shkodër ka
diskutuar edhe mbi përgatitjet për 10
vjetorin e gazetës “Udha Islame”, si një
ngjarje e rëndësishme për muslimanët e
Shkodrës dhe përtej tyre.
Myftiu ka theksuar se botimet janë një
tregues i rëndësishëm për një
institucion si Myftinia. Ai ka thënë se
ka ardhur koha që Myftinia Shkodër të
ndahet nga disa tabu të së shkuarës dhe
se mentaliteti i qëndrimit në ujëra që
nuk lëvizin është prapambetje.
Këshilli ka diskutuar edhe për disa
tematika që kanë të bëjnë për
organizimin e brendshëm dhe
mirëfunksionimin e jetës së xhamisë në
Shkodër, ku janë dhënë mendime të vyera
në këtë drejtim.
Në fund, Myftiu ka prezantuar
para këshilltarëve edhe përgjegjësin e
sektorit të Rinisë Islame në Myftininë
Shkodër, teologun Ervil Kuçi, të cilit i
ka uruar mbarësi dhe suksese në punën e
tij.
|