Paraditën e së
mërkures, më 29 gusht 2012, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
zhvilluar një takim me mësuesit e dy
medreseve të Shkodrës në prag të nisjes
së vitit të ri shkollor 2012-2013.
Fillimisht në degën e djemve e më
pas në degën e vajzave, Myftiu ka uruar
një vit të mbarë të mbushur me rezultate
pozitive dhe suksese për nxënësit,
mësuesit dhe vetë medresenë “Haxhi Sheh
Shamia”.
Në fjalët e mbajtura para mësuesve,
Myftiu ka porositur që nxënësve t’u
krijohet klima e besimit dhe e dijes, e
edukatës qytetare shkodrane dhe e
kulturës së gjerë. Ai ka theksuar se në
realitetet e sotme, nuk ka edukim më të
mirë dhe më garant për një të ardhme më
të mirë për rininë tonë sesa edukimi me
frymën e besimit, frikën e Zotit dhe
dijen e pastër.
Myftiu u ka përcjellur mësuesve të
dy medreseve edhe selamet dhe lutjet e
Hoxhës së nderuar shkodran Shejkh Vehbi
S. Gavoçi, i cili, siç ka pohuar Myftiu
“emocionohet dhe gëzohet pa masë kur
mëson për arritjet e dy medreseve tona”.
Njëkohësisht ka shprehur
mirënjohjen e tij për kontributin dhe
mbështetjen financiare të Shoqatës
“Istanbul”, sikurse ka vlerësuar
personalitetin e dijetarit Osman Nuri
Topbash, si një model inspirues drejt
bardhësive dhe moralit të besimit dhe
dijes në jetë.
|
|
|
|
|