Në atmosferën e Fitër
Bajramit, ditën e mërkure, më 22 gusht
2012, Myftinia Shkodër ka shpërndarë
disa ndihma ushqimore për familje të
ngujuara dhe me jetimë në zonën
Shirq-Mushan të komunës Dajç.
Në fjalën e tij para të pranishmëve
në xhaminë e fshatit, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, pasi ka uruar Fitër
Bajramin ka theksuar se këto ditë
shërbejnë më së shumti për të nxitur
solidarizimin me njerëzit në nevojë. Ai
ka përsëritur se Islami është feja e
vëllazërisë së muslimanëve dhe
përkrahjes në raste nevoje.
Myftiu ka falënderuar edhe imamin e
xhamisë, H. Kujtim Cufaj, i cili është
interesuar maksimalisht për të plotësuar
nevojat e besimtarëve me ndihma të
ndryshme, në raste festash fetare dhe jo
vetëm.
Pas shpërndarjes së pakove
ushqimore në ambientet e xhamisë
Shirq-Mushan, Myftiu së bashku me stafin
e tij kanë vizituar edhe një nga
familjet e ngujuara të zonës. Në një
bashkëbisedim me plakun e moshuar 92
vjeçar të shtëpisë së vizituar, Myftiu
ka theksuar se jeta është e mbushur me
sprova dhe se besimi është një garanci
për t’i kaluar ato me durim dhe
mbështetje në Zotin.
Myftiu ka
konfirmuar edhe një herë se Myftinia
Shkodër do të jetë përherë e gatshme për
të ndihmuar njerëzit në nevojë, të
ngujuarit dhe të ketë një rol elitar në
parandalimin e shkaqeve që çojnë në
hasmëri në mes të individëve të
shoqërisë, aq më tepër kur janë të
besimeve të ndryshme.
Myftiu ka
theksuar se ngujimet dhe vrasjet
kanunore janë një gangrenë e pranishme
gjithandej në shoqërinë shqiptare,
dëshmi injorance dhe frymërash mesjetare
që kërcënojnë të sotmen dhe të ardhmen e
shoqërisë shqiptare.
|
|
|
|