Që në orët e para të
mëngjesit të ri të ditës së dielë, më 19
gusht 2012, besimtarët muslimanë të
Shkodrës janë drejtuar nga sheshi bri
xhamisë “Ebu Bekër”, për faljen e
namazit të sabahut dhe pjesëmarrjen në
ceremoninë e Fitër Bajramit.
Pas një muaji të mbushur me agjërim,
namaz teravie, lexim Kur’ani, sadeka dhe
bamirësi të ndryshme, muslimanët e
Shkodrës dhe të mbarë botës kremtojnë në
këtë ditë të begatë festën e shënuar të
Fitrit, si një shenjë shpërblimi nga
Zoti i gjithësisë dhe një festë
legjitime për krejt ymetin.
Ceremonia e kësaj dite ka nisur me
faljen e namazit të sabahut në shesh,
nën drejtimin e imamit të ri, z. Durim
Kasemi. Më pas, nga tribuna, teologu
Arben Halluni ka bërë një rezyme të
muajit Ramazan dhe pasi ka uruar
besimtarët për këtë ditë, ka ftuar me
radhë imamët e nderuar: z. Naim Drijaj,
z. Adem Pizga, H. Fejzi Zaganjori, z.
Idmir Plaku dhe z. Gilman Kazazi, të
cilët kanë përshëndetur të pranishmit
dhe kanë folur për mesazhet e
vëllazërisë, harmonisë, besimit dhe
domosdoshmërisë së ruajtjes së vlerave
islame në jetë.
Në prag të afrimit të namazit të
Fitër Bajramit, teologu Arben Halluni ka
shpjeguar mënyrën e faljes së këtij
namazi dhe ka ftuar Myftiun e Shkodrës
Imam Muhamed Sytari për ta drejtuar këtë
namaz.
Pas namazit të Fitër Bajramit, i
shoqëruar edhe nga tekbiret që kanë
mbushur atmosferën e Shkodrës, Myftiu
është ngjitur në minber dhe ka mbajtur
hytben e rastit.
Në hytben e këtij bajrami, Myftiu
Imam Muhamed Sytari ka bërë thirrje për
t’u kthyer nga Zoti, për të forcuar
vëllazërinë dhe mirëkuptimin në mesin e
muslimanëve, për të jetuar me krenari si
muslimanë në jetë dhe për të mos u
frikësuar përballë tundimeve që e ftojnë
shqiptarin për t’u zhveshur nga besimi
dhe identiteti i tij fetar.
Myftiu ��shtë lutur për të mirën e
muslimanëve të Shkodrës, ka uruar
mbarësi dhe suksese për ta dhe ka uruar
me zemër Fitër Bajramin.
Në një atmosferë festive, plot
tekbire dhe urime të përzemërta,
muslimanët e Shkodrës janë përshëndetur
në mes vete, me imamët dhe Myftiun e
tyre duke uruar Fitër Bajramin si një
ditë te vlerave dhe madhështisë së
shpirtit islam.
|
|
|
|
|
|