Shkodër, më 18
gusht 2012/ 30 Ramazan 1433
Të dashur
vëllezër e motra muslimanë,
Të nderuar bashkëqytetarët e mi,
Rreth një muaj më
parë, të gjithë ne bëheshim gati për të
pritur më të mirin e muajve të vitit;
Ramazanin. Sot, bashkarisht po bëhemi
gati të përshendetemi me të, duke iu
lutur All-llahut të na e ketë pranuar
këtë muaj si një dëshmi besimi, përulje
dhe respekti ndaj Vullnetit të Tij!
Nesër, të dielën, më 19 gusht 2012,
mbarë bota islame feston Fitër Bajramin,
ditën e shpërblimit, të përkushtimit, të
vëllazërisë, të solidaritetit, të
afrimit me njëri-tjetrin, të altruizmit.
Në çdo cep të vendit tonë e në botë,
ka akoma njerëz të vetmuar, të varfër,
të pastrehuar, të uritur, të etur, të
sëmurë e në lëngata nga më të ndryshmet.
Dita e Fitër Bajramit, na bën që të
mendojmë më shumë për ta, të lutemi, të
punojmë dhe të shpresojmë në All-llahun
(xh.sh) se do t’i shërojë dhembjet në
këtë vend, në çdo cep të ymetit islam,
kudo në botë, duke shëruar injorancën,
djallëzitë, mashtrimin, veset, çdo të
keqe që kërcënon sot njeriun, jetën e
tij, botën mbarë!
Në këtë ditë të begatë, kam dëshirë
të lutem me zemër për mirëqenien tuaj,
për një të ardhme më të mirë të fëmijëve
tanë, për një rini më të pjekur e
besimtare, më afër vlerave të larta të
mësimeve hyjnore, më larg rrugëve të
femohimit, injorancës dhe humbjes së
kohës.
Në akshamin e kësaj dite do ta
përcjellim muajin Ramazan me shumë mall
e nostalgji, me lutjet më të mira që të
bëhet ndërmjetës për ne në ditën e
gjykimit para duarve të Zotit
Mëshirëplotë.
Mos e harroni besën e muajit Ramazan,
përkushtimin në ditët e tij, respektimin
e namazit, ndihmën ndaj nevojtarëve,
sofrat e harmonisë e të vëllazërisë në
mes vete, përuljen ndaj Zotit dhe
udhëzimit të Tij.
Mos i ktheni shpinën All-llahut,
hapjani zemrën Atij, dëshmohuni të denjë
për dashurinë dhe mëshirën e Tij të
pakufijshme, pendohuni dhe gëzoni
sihariqet e bekimeve të Tij në çdo
moment të një jete të re me më shumë
besim e përkushtim!
Ramazan të
pranuar dhe me hajr Fitër Bajramin!
|