Ditën e martë, më 14
gusht 2012, në kuadër të aktiviteteve të
muajit Ramazan, Myftinia Shkodër ka
organizuar ceremoninë e përvitshme të
mbylljes së leximit të plotë të Kur’anit
Famëlartë, njohur ndryshe si: Hatmeja e
Kur’anit.
Aktiviteti i zhvilluar në xhaminë e
Parrucës, ka nisur me faljen e namazit
të iqindisë me xhemat, pasuar nga virdet
dhe lutja përkatëse.
Më pas, aktiviteti ka vijuar me
përshëndetjen e Myftiut të Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, i cili në fjalën e tij
është ndalur te rëndësia që ka
reflektimi në ditët e mbetura të
Ramazanit dhe përkujtimi i mirësisë së
agjërimit.
Myftiu ka theksuar
se ky lexim i plotë i Kur’anit dhe
agjërimi i plotë i Ramazanit do të
ndërmjetësojnë për besimtarët në ditën e
gjykimit dhe do të jenë një ndër shkaqet
e përfitimit të begative të xhennetit.
Njëkohësisht, ka ftuar besimtarët që ta
shfrytëzojnë kohën e mbetur të këtij
muaji në largim, për të shtuar adhurimet,
për të kërkuar falje e për të shpresuar
mëshirën dhe mirësitë e Zotit.
Teologu Bashkim Bajraktari, ka
mbajtur më pas temën: “Nata e Kadrit dhe
vlerat e sures që mban emrin e saj”.
Nëpërmjet argumenteve të ndryshme, ka
hedhur dritë mbi kuptimet e sures që
sinjalizon zbritjen e Kur’anit në një
natë më të mirë se një mijë muaj.
Njëkohësisht, është ndalur te rëndësia
që ka adhurimi, shtimi i dhikreve dhe
lutjeve në këtë natë të madhe të mbushur
me paqe, mëshirë dhe dashuri hyjnore.
Pas përfundimit të kësaj teme me
vlera, është bërë edhe leximi i pjesëve
të fundit të Kur’anit si dhe duaja e
Hatmes. Me përfundimin e lutjes,
besimtarët janë uruar me njëri-tjetrin
dhe me imamët që për 27 ditët e këtij
muaji e plotësuan leximin e plotë të
Librit të All-llahut.
|
|
|
|
|
|
|