Ditën e enjte, më 9
gusht 2012, Bashkësia Islame e Prizrenit
ka shtruar një iftar vëllazëror, ku i
ftuar nderi ka qenë Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari me bashkëpunëtorë.
Ky iftar vjen në kuadër të
protokollit të binjakëzimit në mes të dy
myftinive dhe si një hap i ri në rritjen
e bashkëpunimit në mes të institucioneve
fetare islame të trevave shqiptare.
Në emër të Bashkësisë Islame të
Prizrenit, Kryetari i saj, Lutfi ef.
Ballek ka falënderuar Myftiun e Shkodrës
me bashkëpunëtorë, për pjesëmarrjen në
këtë iftar të shtruar në emër të
vëllazërisë dhe vlerave të larta të
besimit dhe bashkëpunimit në mes të
institucioneve fetare islame. Ai ka
theksuar se këto tryeza do ta shtojnë
edhe më shumë bashkëpunimin dhe afrimin
në mes të Bashkësisë Islame Prizren me
Myftininë Shkodër.
Këtë sofër e ka përshëndetur edhe
Imam Muhamed Sytari, i cili ka
falënderuar nikoqirët për ftesën, si dhe
ka vënë në dukje rëndësinë e madhe që ka
afrimi i mëtejshëm i drejtuesve dhe
prijësve fetarë muslimanë në trevat
shqiptare. Myftiu ka theksuar, se
vëllazëria që na bashkon është
shumëdimensionale, “është vëllazërie
besimi, gjaku, gjuhe, kombi e traditash,
prandaj është koha që ta falënderojmë me
të madhe Zotin e gjithësisë për mirësinë
e lirisë dhe mundësinë e komunikimit
lirshëm në shërbim të vlerave të larta
islame dhe kombëtare”.
Më pas, Myftiu i ka dhuruar
Kryetarit të B.I. Prizren, një suvenir,
ku janë bashkuar elementë të dijes me
simbolet kombëtare, si kujtim i kësaj
sofre vëllazërore.
Iftari ka dëshmuar një frymë
vëllazërie dhe komunikimi të sinqertë në
mes të imamëve të shumtë, drejtuesve
lokalë, deputetëve dhe drejtuesve fetarë
të pranishëm në këtë sofër të begatë.
|
|
|
|
|