Nëpërmjet minberit të
xhamisë Parrucë, të xhumanë e dytë të
këtij Ramazani, më 27 korrik 2012,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
nisur të flasë mbi kuptimet e emrit të
madhëruar të All-llahut, “Err-Rrahman”.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu ka bërë
disa shpjegime që lidhen me kuptimin e
këtij emri të madhëruar, rreth të cilit
kanë zbritur ajete të ndryshme kur’anore.
“Prezantimin e parë në Kur’an,
All-llahu (xh.sh) e ka bërë duke
përmendur mëshirën dhe bamirësinë e Tij
ndaj krijesave. Të gjithë ne lexojmë: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
– Elhamdu lil-lahi rabbil-alemin – Err-Rrahmanirr-
Rrahim”. Pra, në tre fjalitë e
para të Kur’anit, prezantohet Një Zot
Mëshirues Mëshirëbërës, i Cili nuk ka
nevojë për asgjë dhe për asnjeri, i Cili
është i Përhershëm pa fillim, i
Përhershëm pa mbarim. Kjo na fton të
mendojmë dhe të reflektojmë se sa jemi
të gatshëm për ta pritur këtë mëshirë
dhe sa janë të gatshme zemrat tona, që
në to të shfaqet All-llahu i Madhëruar
me dritat e emrit të Tij “Err-Rrahman”!
Mëshira e All-llahut është
dy llojesh; e përgjithshme dhe e veçantë.
E përgjithshme, për besimtarët dhe për
femohuesit. Të gjithë ushqehen me ajër,
të gjithë hanë dhe pinë, të gjithëve u
punon zemra dhe organet jetike. Mirëpo,
besimtarit i shfaqet me dritën e emrave
të Tij, duke ia zbukuruar zemrën dhe
duke i dhuruar momente që vlejnë më
shumë se bota me çka brenda! Për
shembull: Bie shi. Prej tij përfiton
edhe besimtari edhe femohuesi. Rrjedhin
lumenjtë. Besimtari e falënderon Zotin
për këtë mirësi, jobesimtari e vështron
neglizhent!? Ndoshta, një femohues mund
të jetojë në miradi e luks më shumë se
një besimtar i rregullt por, femohuesit
i mbaron luksi me mbarimin e jetës,
ndërsa besimtarit i fillon shpërblimi me
mbarimin e kësaj jete të përkohshme!”-
ka thënë ndër të tjera Myftiu.
Hytbeja e kësaj xhumaje
transmetohet edhe në emisionin “Ramazani
midis nesh”, në Tv1 Channel, ditën e
sotme, në orën 19.00 dhe ritransmetohet
ditën e nesërme, të shtunën, më 28
korrik 2012, në orën 12.30.
|
|
|