Në një atmosferë të
ngrohtë e vëllazërore, Myftinia Shkodër
ka shtruar iftarin e ditës së hënë, më
23 korrik 2012, për një grup të rinjsh
muslimanë, frekuentues të xhamive të
ndryshme të Shkodrës.
Sofrës së iftarit, i ka paraprirë
një përshëndetje nga Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari. Në fjalën e tij,
Myftiu ka përgëzuar të rinjtë për
vullnetit e tyre, për besimin dhe
udhëzimin në Islam.
Myftiu
ka theksuar se Ramazani është muaji i
rinisë, sepse gjatë Ramazanit është
shkruar historia e lavdisë dhe e
krenarisë së muslimanëve kudo në botë.
Ai është lutur që All-llahu ta begatojë
jetën e të rinjve muslimanë dhe t’i
udhëzojë përherë drejt më së mirës në
jetën e tyre.
Më pas, teologu Naim Drijaj ka
mbajtur një bisedë fetare, në të cilën
ka shpjeguar vendin e rinisë në Kur’an
dhe në Traditën e profetit Muhammed
(a.s). Ka theksuar se të rinjtë kanë një
vend të veçantë në Islam, sepse njerëzit
që e pranuan më së pari Thirrjen e Hz.
Muhammedit (a.s), ishin të rinjtë. Këtu,
teologu i nderuar ka përmendur disa
raste dhe shembuj tërheqës nga historia
islame, ku del në pah fakti se një rini
e udhëzuar nga e mira është një shenjë
mbarësie dhe përparimi për krejt
shoqëritë njerëzore.
Në prag të iftarit janë kënduar edhe
disa ilahi, të cilat e kanë mbushur
sallën me emocionet dhe përshpirtësinë e
këtij muaji të begatë.
Në fund, teologu Ervil Kuçi,
përgjegjës i sektorit të rinisë në
Myftininë Shkodër, ka falënderuar
pjesëmarrësit në iftar dhe është lutur
që tubime të tilla të ketë sa më shumë,
sepse janë një vlerë më shumë për
shoqërinë dhe një arsye më tepër për të
dëshmuar së bashku harmoninë dhe
vëllazërinë e shenjtë islame.
|
|
|
|
|
|