Imam Muhamed 
										Sytari
Myfti i Zonës 
										Shkodër
										Të dashur vëllezër dhe motra, 
										muslimanë!
Muaji i Ramazanit 
										është thuajse në dyert e kësaj bote! Pas 
										pak, hëna e tij me dritën e saj, do të 
										mbushë botën me nurin e mëshirës, faljes 
										dhe udhëzimit drejt realiteteve ku 
										njeriu jeton me dashuri, dhuron paqe dhe 
										merr mirësi të pafund!
Edhe pak 
										ditë dhe mbarë bota islame, krijesat e 
										panumërta dhe i gjithë universi 
										përfshihet në atmosferën e muajit më të 
										madhërishëm, më frymëzues dhe më nxitës 
										drejt dashurisë së pastër të njeriut me 
										Zotin e tij.
Dëshiroj që në prag 
										të këtij muaji të begatë, të gjithë të 
										jemi të gatshëm për të hyrë në një 
										atmosferë begatuese, që na bën të 
										kthehemi në origjinën tonë të fitras, 
										pas një largimi të hutuar, shpesh të 
										pavetëdijshëm drejt humnerave të 
										ateizmit, metarializmit etj! Të mos 
										kthejmë kokën pas nga thirrjet tunduese 
										të shejtanëve që, më shumë se kurrë, në 
										ditët e Ramazanit janë të lidhur, të 
										poshtëruar dhe larg kontaktit me “adhuruesit” 
										e tyre, me botën mbarë!
Është 
										muaji Ramazan, i cili kur hyn: “hapen 
										dyert e xhennetit, mbyllen dyert e 
										xhehnemit dhe lidhen shejtanët me 
										zinxhirë”.[1] Kjo 
										është thirrja e pastër profetike që na 
										fton të pendohemi, të pastrojmë besimin 
										në zemër, të madhërojmë All-llahun, 
										Zotin e vetëm të gjithësisë, Atë që nuk 
										ka as bij, as bija, që nuk ka nevojë për 
										njeri dhe që secila krijesë ka nevojë 
										për Të!
Ky është muaji i pendimit, 
										i kthimit dhe i heqjes dorë nga një jetë 
										rutine, pa dritë besimi a e përzier me 
										elementë të një shirku të verbër e gafil, 
										që e bën njeriun të jetojë si një 
										krijesë e përbuzur, pa logjikë, pa 
										orientim, pa dritë në fund të një tuneli 
										të gjatë të një jetë plot vështirësi!
										
Është muaji i të gjithë atyre, 
										që kur zgjohen në mëngjes, kanë harruar 
										abdesin, kanë lënë pas hakun e Zotit, 
										namazin e sabahut; le të kthehen, se 
										dera është e hapur dhe Zoti pret me 
										dashurinë e Tij të pakufishme kthimin e 
										tyre!
Është muaji i të gjithë 
										atyre, që e nisin ditën me një gotë 
										alkool, që nuk reshtin së konsumuari 
										lloje të ndryshme të pijeve të ndaluara 
										e të bëra haram; le të ndalen qoftë edhe 
										për një muaj të vetëm, për hatrin e Atij 
										që krijoi çdo të mirë për njeriun, 
										krijesën e Tij më të përsosur!  
										
Është muaji i të gjithë atyre, që 
										kanë harruar të thonë: “O Zot, më fal! O 
										Zot, unë kam harruar se Ti je! O Zot, a 
										më pranon edhe mua?”, për të gjetur 
										dyert e mëshirës, faljes dhe pranimit të 
										pendimit të hapura e në pritje!
										Është muaji i të rinjve, që të lënë 
										qoftë edhe për një muaj të vetëm, 
										sidomos në këtë verë provokuese, 
										mbrëmjet e përziera, zhurmën e muzikës 
										të shoqëruar me efektet e dritave 
										verbuese dhe pijeve dehëse, që dhurojnë 
										një relaksim falls, pas së cilit nuk ka 
										dobi, vlerë a botë besimi!
Është 
										muaji i besimtarëve që kanë harruar se 
										Zoti i gjithësisë u ka dërguar një Libër, 
										i cili përmbledh çdo libër të shenjtë 
										dhe çdo mësim të urtë për jetën dhe të 
										përtejmen e njeriut; Kur’anin. Të 
										kthehen nga ai, të gjejnë veten, jetën, 
										shpresën, dritën e vërtetë, shembujt e 
										popujve besimtarë dhe rrugët e zhveshjes 
										nga robëria e të qenit skllav i 
										shejtanit, i epsheve, i veseve, i 
										devijimit dhe shpikjes në besim e fé!
										
Është po ai Kur’an që nisi të 
										zbriste në shpellën e adhurimit 14 
										shekuj më parë, është Kur’ani i 
										shpëtimit, alternativa e atyre që janë 
										zhgënjyer nga çdo alternativë dhe 
										jetojnë në kufijtë e dilemës! 
										Është ai Libër udhërrëfyes që ndan 
										dritën nga errësira, udhëzimin nga 
										devijimi, nderin nga imoraliteti, 
										besimin nga femohimi, pastërtinë nga 
										hipokrizia, teuhidin nga shirku, burrin 
										e ndershëm nga ai imoral, gruan e bindur 
										nga ajo plot dredhi, jetën nga vdekja!
										
Është Libri i ndërmjetësimit: “Agjërimi 
										dhe Kur'ani i ndërmjetësojnë robit tek 
										All-llahu ditën e gjykimit. Agjërimi 
										thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin 
										dhe epshet gjatë gjithë ditës, prandaj 
										më prano mua për të! Ndërsa Kur'ani 
										thotë: O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë 
										natës, prandaj më prano mua për të dhe i 
										ndërmjetësojnë”.[2] 
										Prandaj, për hatrin e Zotit, Atij që ia 
										shpalli njeriut Librin, lexojeni, 
										shfletojeni, krijoni një marrëdhënie të 
										sinqertë me të dhe prisni, prisni 
										prekjet mëshironjëse të kontaktit me 
										Fjalën e Vërtetë të Zotit Një!
										Është Ramazan, muaji i forcimit të 
										trupit dhe shërimit të tij! “Agjërimi 
										është mbrojtje”[3], 
										nga çdo e keqe, nga teprimi, nga lënia 
										pas dore e hakut që ka shëndeti tek ne! 
										Është mburojë e shtrenjtë për njerëzit 
										që vlerësojnë vërtetësinë e thirrjeve 
										hyjnore!
Është Ramazan, muaji i 
										pastrimit nga thashethemi, gënjeshtra, 
										përfolja, sëmundjet e gjuhës! Mos ta 
										prishim shenjtërinë e këtij muaji dhe 
										madhështinë e tij për hatrin e vesit të 
										përfoljes pas shpine, të thashethemit, 
										të thënies së gënjeshtrave! Mos, për 
										hatër të Zotit! Mos, sepse: “Agjërimi 
										është mburojë, nëse nuk prishet me 
										gënjeshtra apo duke marrë nëpër gojë të 
										tjerët”.[4] Mos ta 
										prishim këtë mburojë hyjnore, për hatër 
										të një momenti gafil e një dëshirë 
										djallëzore të pakuptimtë!
										Ramazani i këtij viti, ka një thirrje të 
										veçantë për çdo musliman shqiptar, është 
										Ramazani i 100 vjetorit të Shqipërisë 
										sonë të dashur! Është një prag meditimi 
										dhe një cak që na bën të kuptojmë se 
										çfarë ishim, si jemi dhe si do të jenë 
										ata që do vijnë pas nesh. 
Është 
										një muaj, që na fton të reflektojmë mbi 
										persekutimet e panumërta që ne 
										muslimanët kemi kaluar në këto 100 vite, 
										në tokën tonë, në vendin tonë të 
										shtrenjtë! Është muaji që na fton të 
										kujtojmë një çerek shekulli në të cilin 
										gjyshërit dhe baballarët tanë u ndaluan 
										të agjëronin. Ramazani u dënua me vdekje! 
										Nënat shamibardha dhe gjyshërit me 
										rrudhat e dhembjes, agjëruan me drita të 
										fikura, me provokime nga më meskinet, me 
										perde të zeza mbi dritare spiune! Nuk 
										duhet të harrojmë, përkundrazi duhet ta 
										ringjallim besën e tyre, fenë e tyre dhe 
										t’ua mëkojmë fëmijëve tanë, që nesër të 
										jenë më të mirë e ne, më besimtarë, më 
										vepërmirë, më të drejtuar nga teuhidi 
										dhe thirrja e tij që padyshim e bën 
										Shqipërinë tonë më të fortë, më 
										dinjitoze, më krenare, më solide, se “laramanizmi”!? 
										Të punojmë si muslimanë të përkushtuar, 
										që fëmijët tanë të jenë e ardhmja e një 
										Evrope, që më shumë se kurrë sot ka 
										nevojë të gjejë shpëtimin e saj nga 
										lodhja e shekujve plot hutim e intriga, 
										në krahët e Islamit!
Është 
										Ramazan, muaji i fshirjes së gjynaheve 
										dhe pragu i një nisje të re me Zotin, me 
										veten, me tjetrin. 
Është muaji, 
										për të cilin i dërguari (a.s) thoshte: “Pesë 
										namazet, xhumaja në xhuma dhe Ramazani 
										në Ramazan, janë fsherëse për gjynahet 
										ndërmjet tyre, po s'u vepruan gjynahet e 
										mëdha”.[5]
Është Ramazan.
										Mubarek Ramazanin!
										
Shkodër, korrik 
										2012
										[1] Ahmedi, 
										Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
										[2]  Ahmedi, 
										Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhakiu, nga Ibni 
										Amri (r.a).
[3] 
										Nesaiu, nga Muadhi (r.a).
										[4]  
										Tabaraniu, nga Ebu Hurejra (r.a).
										[5]  Ahmedi, 
										Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra (r.a).
| 
										
												 | 
