Pasditën e së enjtes,
më 19 korrik 2012, Myftinia Shkodër ka
zhvilluar ceremoninë e pritjes së Hënës
së re të Muajit Ramazan 1433/2012.
Imamë, teologë, besimtarë dhe
besimtare, janë mbledhur së bashku në
oborrin e xhamisë “Ebu Bekër”, për të
ndjekur përshëndetjet e këtij
prag-Ramazani.
Në fjalën e tij të hapjes, teologu
Arben Halluni ka theksuar se kjo
ceremoni që zhvillohet për herë të parë,
është pjesë e traditave islame, që
organizohen kudo në botën islame në prag
të këtij muaji. Ai ka uruar që ky muaj
të jetë sa më i begatë për besimtarët
dhe familjet e tyre.
Më pas kanë përshëndetur edhe imamët
dhe teologët e nderuar Idmir Plaku,
Bashkim Bajraktari dhe Lavdrim Hamja. Në
përshëndetjet e tyre është theksuar
vlera e agjërimit të Ramazanit, si një
adhurim me të cilin njeriu afrohet
përherë e më shumë me Zotin e tij.
Imamët kanë përshëndetur besimtarët dhe
janë lutur për një muaj të lehtë e të
mbarë për të gjithë agjëruesit.
Më pas, të pranishmit kanë dëgjuar
përshëndetjen dhe mesazhin e Myftiut të
Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj. Në
fjalën e tij, Myftiu i nderuar ka uruar
të gjithë besimtarët me rastin e muajit
të agjërimit dhe ka bërë thirrje që të
shfrytëzohet koha për të shtuar
adhurimet dhe lutjet drejtuar Zotit të
gjithësisë.
Në prag të kohës së akshamit, Myftiu
i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka dhënë
mesazhin e tij drejtuar besimtarëve.
Ndër të tjera ka thënë: “Ky është muaji
i pendimit, i kthimit dhe i heqjes dorë
nga një jetë rutine, pa dritë besimi a e
përzier me elementë të një shirku të
verbër e gafil, që e bën njeriun të
jetojë si një krijesë e përbuzur, pa
logjikë, pa orientim, pa dritë në fund
të një tuneli të gjatë të një jetë plot
vështirësi!
Është muaji i të
gjithë atyre, që kur zgjohen në mëngjes,
kanë harruar abdesin, kanë lënë pas
hakun e Zotit, namazin e sabahut; le të
kthehen, se dera është e hapur dhe Zoti
pret me dashurinë e Tij të pakufijshme
kthimin e tyre!
Është muaji i të
gjithë atyre, që e nisin ditën me një
gotë alkool, që nuk reshtin së
konsumuari lloje të ndryshme të pijeve
të ndaluara e të bëra haram; le të
ndalen qoftë edhe për një muaj të vetëm,
për hatrin e Atij që krijoi çdo të mirë
për njeriun, krijesën e Tij më të
përsosur!
Është muaji i të
gjithë atyre, që kanë harruar të thonë:
“O Zot, më fal! O Zot, unë kam harruar
se Ti je! O Zot, a më pranon edhe mua?”,
për të gjetur dyert e mëshirës, faljes
dhe pranimit të pendimit të hapura e në
pritje!
Është muaji i të rinjve,
që të lënë qoftë edhe për një muaj të
vetëm, sidomos në këtë verë provokuese,
mbrëmjet e përziera, zhurmën e muzikës
të shoqëruar me efektet e dritave
verbuese dhe pijeve dehëse, që dhurojnë
një relaksim falls, pas së cilit nuk ka
dobi, vlerë a botë besimi!
Është
muaji i besimtarëve që kanë harruar se
Zoti i gjithësisë u ka dërguar një Libër,
i cili përmbledh çdo libër të shenjtë
dhe çdo mësim të urtë për jetën dhe të
përtejmen e njeriut; Kur’anin. Të
kthehen nga ai, të gjejnë veten, jetën,
shpresën, dritën e vërtetë, shembujt e
popujve besimtarë dhe rrugët e zhveshjes
nga robëria e të qenit skllav i
shejtanit, i epsheve, i veseve, i
devijimit dhe shpikjes në besim e fé!”
Më pas, të pranishmit kanë dëgjuar
me shumë emocion këndimin e ezanit live
nga z. Ervin Metani. Pas faljes së
namazit të akshamit të parë të këtij
Ramazani të bekuar, të pranishmit kanë
uruar njëri-tjetrin dhe janë lutur për
një muaj plot begati.
Ceremonia e
pritjes së Hënës së re të Ramazanit
1433/2012, është transmetuar live nga
Tv1 Channel.
|
|
|
|
|
|
|