Paraditën e së
xhumasë, më 13 korrik 2012, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
zhvilluar një vizitë pune në Myftininë e
Pukës, ku është pritur nga Myftiu Imam
Gëzim Kopani.
Fillimisht, me ftesë të Myftinisë
Pukë, Myftiu i Shkodrës ka qenë i ftuar
për një bashkëbisedim në funksion të
emisionit fetar: “Fjalë zemre”,
organizim i Myftinisë Pukë në
bashkëpunim me Puka Tv.
Myftiu
i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit
Armir Mehja, ku ka folur kryesisht për
vlerat dhe madhështinë e muajit Ramazan,
ndikimin e tij në edukimin e individit
për të qenë më pozitiv dhe ndërtues në
jetë etj. Myftiu është ndalur edhe te
simbolika kombëtare e Ramazanit të këtij
viti, që përkon me 100 vjetorin e
Shqipërisë. Myftiu është lutur që në
këtë përvjetor jubilar, shqiptarët të
kthehen edhe më shumë nga feja dhe të
jetojnë në harmoni me mësimet e saj.
Vizita e Myftiut ka vijuar me një
takim pune në Myftininë e Pukës, ku ka
zhvilluar një bisedë të gjatë me Myftiun
e saj Imam Gëzim Kopani. Myftiu ka
theksuar se në kuadër të udhëzimeve të
Kryesisë së Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, do të intensifikohet
bashkëpunimi në mes dy myftinive,
sidomos në Ramazan, si dhe do të ndiqen
hap pas hapi problematikat e ndryshme të
shfaqura kohëve të fundit në Myftininë e
Pukës, si rasti në Fushë Arrëz, ku
muslimanët janë përballur me pengesa të
pakuptueshme dhe aspak njerëzore nga
njerëz me pushtet, por jo vetëm, gjatë
përpjekjeve legjitime për ndërtimin e
xhamisë në një prej lagjeve muslimane.
Myftiu ka theksuar se ne si
muslimanë jemi të prirur të evitojmë çdo
lloj incidenti dhe të gjejmë rrugët më
të mira për të shmangur konfliktet e
mundëshme, ndërsa turpi dhe injoranca të
mbetet për ata që mbjellin këtë farë të
keqe në Shqipërinë e vitit 2012.
Myftiu i Pukës Imam Gëzim Kopani e
ka njohur Myftiun e Shkodrës edhe me
lajmin e mirë të nisjes së punimeve për
xhaminë e re në Qerret, si dhe disa
aktivitete të larmishme të kësaj
myftinie.
Bisedat janë përqendruar edhe te
nevoja e shtimit të vizitave dhe
bashkëpunimeve fetare dhe teologjike, në
kuadër të fuqizimit të jetës fetare
islame në Pukë. Myftiu Imam Muhamed
Sytari e ka garantuar Myftiun e Pukës,
se Myftinia Shkodër si myftini zone, do
të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur
sfidave të reja të Thirrjes Islame edhe
në Pukë.
|
|
|
|