Të nderuar
vëllezër imamë,
Edhe pak
ditë na ndajnë nga hyrja e muajit të
begatë të Ramazanit, në të cilin
shpresojmë të arrijmë kënaqësinë dhe
pëlqimin e All-llahut (xh.sh).
Edhe pak ditë dhe secili prej jush
nis një rrugëtim të ri në thirrjen plot
urtësi e dije, në udhëzimin e njerëzve
dhe afrimin e tyre me Zotin Mëshirëplotë.
Më lejoni me këtë rast, t’ju
drejtohem me këto fjalë, si një urim,
këshillë vëllazërore dhe lutje mbarësie
për Ju:
Muaji i begatë i Ramazanit është
muaj i adhurimeve, i afrimit me Zotin, i
teubes, i istigfarit, i dhikrit, i
leximit të Kur’anit, i mundësisë për të
pajtuar të përçarët, për të afruar të
larguarit, për të bashkuar të ndarët,
për të ndihmuar nevojtarët, për të
udhëzuar ata që kanë humbur rrugën e për
të dritësuar rrugën e atij që i është
errësuar pamja.
Ju, me atë që Zoti ju ka dhënë, e
keni një mundësi më tepër për të
sakrifikuar më shumë se të tjerët, në
rrugën e këtyre qëllimeve të larta e,
mbi të gjitha; për të mundësuar
udhëzimin e kujtdo që e ka humbur atë
për një arsye a një tjetër.
Mos ngurroni, të jeni prijës
shembullorë në jetën e adhurimeve, në
prezantimin sa më tepër të mexhliseve
dhe xhemateve, në organizimin e tubimeve
fetare e diturore që shërbejnë për të
dëshmuar së bashku një muaj plot vlera e
risi, larg rutinës e brengave të
përditshme, me të cilat përballet kjo
shoqëri dhe individi i saj.
Muaji i Ramazanit na jep një mundësi
më shumë për të na bashkuar me
besimtarët në xhami, sidomos në namazin
e jacisë, që pasohet nga teravia. Mos
lejoni që për asnjë arsye në botë, ta
kthejmë adhurimin dhe afrimin me Zotin e
gjithësisë, si një mundësi e përsëritur
për t’u përçarë, me risi e ndasi, sipas
rregullit të pluhurosur: “Kundërshto që
të bëhesh i njohur” a ngjashëm me të!
Përkundrazi, hapuni njerëzve zemrën,
toleroni dhe mëshironi paditurinë e
kujtdo, që e ka një nijet të mirë për
t’u afruar, për t’u kthyer, për të
gjetur dritën e besimit! Përfitoni nga
kjo kohë, për të organizuar derse
udhërrëfyese, vendosni zemrën në shërbim
të atyre që drejtohen pas jush, faluni
prehje dhe qetësi gjatë 20 rekateve të
teravisë, të mbushura me dritë Kur’ani
dhe kënaqësi Ramazani!
Njerëzit, janë mësuar të gjejnë paqe
dhe qetësi në xhamitë e All-llahut, mos
të bëhemi shkak për të dëshmuar të
kundërtën, duke i lodhur njerëzit me
mësime e thirrje prej të cilave nuk kanë
dobi, si: ndryshimi i orareve të syfyrit,
iftarit, numrit të rekateve, formës së
faljes etj. Mos lejoni që nëpërmjet
dyerve të xhamisë, njerëzit të fitojnë
urrejtje e mëri për njëri-tjetrin, por
vetëm dashuri, respekt, solidaritet e
harmoni besimi!
Falë Zotit, Ramazani është në dyert
e kësaj bote; të punojmë bashkarisht për
të gjetur rrugë të ndryshme të pastra e
të shtruara me besim e sinqeritet, për
të evidentuar çdo familje muslimane, për
të bërë një skaner të besimit dhe fesë
në to, për të gjurmuar viruset që
shkatërrojnë qelizat e besimit, kulturës
dhe traditave islame e, për të gjetur më
pas metodat e shërimit dhe kurat e
duhura në drejtim të pastrimit të plotë.
Sot, në shoqërinë tonë, janë me
dhjetra e qindra të rinjtë që bartin mbi
supe një emër musliman, por që jetojnë
ditë pas dite si individë të hutuar të
një shoqërie mesjetare të tipit evropian,
plot injorancë, idhujtari, prekje shirku,
mpirje të mendjes dhe arsyes, në një
robëri skllavëruese dhe një vartësi
verbuese ndaj netëve plot alkool, muzikë
shurdhuese e dëfrime pa kufij! T’i
kërkojmë, t’i afrojmë, t’u japim kohë
për të pranuar dritën e shpëtimit, t’u
japim mundësi reflektimi dhe mos t’u
mbyllim dyert me drynjtë e vulosur të
etiketimit si të devijuar, të çthurrur,
femohues, hipokritë etj!
Sot, në shoqërinë tonë, janë me
dhjetra familjet, në të cilat mungon
drita e besimit dhe ndjesia e
përshpirtshme e sekreteve të fesë, që e
bëjnë njeriun të jetojë në paqe me
realitetet, sado të dhembshme që të jenë;
të bindur dhe pranues ndaj prekjeve të
përditshme të një kaderi hyjnor të
paracaktuar! Të shkojmë drejt tyre, më
një fjalë të urtë, me një ndihmë
materiale të sinqertë, me një libër, me
një hadith, me një kontakt fatlum, prej
të cilit shpresohet ndryshimi, kthesa,
afrimi!
Sot, në shoqërinë tonë, janë me
dhjetra e qindra të rinj e të reja, që
edhe pse mbajnë mbi supe trashëgiminë e
një familje muslimane, nuk kanë pasur
mundësi të kenë një Kur’an në dorë, ta
prekin, ta shfletojnë, të përpiqen ta
lexojnë e ta kuptojnë. Të gjejmë rrugët
e shërbimit, për t’u afruar Fjalën e
All-llahut dhe le të bëjë Zoti i Fjalës
çfarë të dojë me ta dhe me zemrën e tyre!
Sot, të nderuar vëllezër imamë e
prijës fetarë, të gjithë ne përballemi
me vështirësi dhe pengesa të shumta në
rrugën e mbajtjes gjallë të pishtarit të
fesë dhe të besimit. Le ta mbështesim
njëri-tjetrin dhe ta ruajmë, nga çdo
prekje a tendencë përçmimi, pengese a
pusie, duke dëshmuar së bashku forcën e
bashkëveprimit në vëllazëri, madhështinë
e komunikimit me një zë të fortë e
kumbues, krenarinë e shërbimit ndaj
Dritës së Fesë së Zotit tonë, sup më sup
e dorë për dore!
Ramazani tashmë është afruar, le ta
presim ashtu si duhet, duke u vënë në
shërbim të Vullnetit të All-llahut, për
të qenë secili prej nesh një shërbëtor
besnik dhe një rob i përulur para
Thirrjes Dritësuese, me të cilën Ai na
drejtohet!
Sivjet, shqiptarët kanë një datë
jubilare të rëndësishme në jetën e tyre,
100 vjetorin e Shqipërisë sonë të dashur!
Le të punojmë së bashku që kjo datë të
shërbejë si një mundësi reflektimi për
të kuptuar se kush ishim, si u bëmë dhe
si duhet të ndryshojmë, për ta ruajtur
fenë tonë nga tendencat shkatërrimtare
të atyre, që me tradhti e hile i krijuan
këtij vendi heronj e legjenda, për t’i
mbajtur peng ndërgjegjen e për t’i
tunduar krenarinë e identitetit!
Bëhuni lajmëtarë dhe thirrës drejt
vlerave shqiptare, që bazohen në Dritën
e Kur’anit në Traditën e Muhammedit
(a.s), jo në hijen e historive plot
mashtrim, vajtim mashtrues, martirizim
artificial e shtirje shekullore të
dëshmuar kudo në botë!
Mësoni
fëmijët ta lexojnë Islamin edhe në
gjuhën e tyre, ta shkruajnë pastër e me
një shqipe të kulluar emrin e Zotit,
All-llah (xh.sh), atë të pejgamberit,
Muhammed (a.s), atë të Fjalës së
pandryshuar e hyjnore, Kur’an! Udhëzoni
dhe mësoni se kjo fé është amanet nga të
parët, thirrje e pritur nga pasardhësit,
dëshmi e krenarisë sonë njerëzore në
këtë botë dhe forcë ndërgjegje e
identiteti në këtë shoqëri, ku jetojmë!
Ky Ramazan, është muaj i lutjeve.
Lutuni për Shqipërinë tonë të shtrenjtë,
që All-llahu ta ruajë e ta begatojë, t’i
udhëzojë shqiptarët drejt Dritës së Tij
dhe t’i pastrojë nga hijet dhe pluhuri i
viteve plot errësirë!
Lutuni dhe
lëreni të udhëtojë e qetë drejt
lartësive, ku lutjet e sinqerta priten
me krahë pranimi!
All-llahu e begatoftë ditën dhe
natën tuaj! Ju bëftë mbrojtje nga çdo e
keqe dhe udhëzim drejt çdo të mire!
Qoftë razi për veprat tuaja, shërbimet e
dlirta, angazhimin e sinqertë, durimin e
pashembullt, përpjekjen korrekte për të
mirën e Thirrjes së Tij Islame!
Shkodër, më
11 korrik 2012
|
|
|