Ministri i Turizmit,
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z.
Ferdinand Xhaferaj, ka marrë pjesë në
Programin Solemn organizuar nga
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe
Myftinia Shkodër në Teatrin "Migjeni"
Shkodër, në kujtim të 16 nëntorit 1990
që këtë vit përkoi me Bajramin e
Kurbanit, që bënë të mundur hedhjen e
hapit të parë drejt lirisë së
fjalës e besimit dhe demokracisë së
pakthyeshme në Shqipëri.
Ministri Xhaferaj përcolli fjalën e
Kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk
mundi të ishte i pranishëm për shkak të
angazhimeve qeveritare.
Mesazhi që përcolli Ministri Xhaferrri:
“Të nderuar pjesëmarrës, përfaqësues të
lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar,
qytetarë të Shkodrës,
Ndihem mjaft i emocionuar dhe i
nderuar njëherazi që ndodhem sot këtu
bashkë me ju, për përshëndetur hapjen e
këtij programi solemn, organizuar nga
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Dhe është pikërisht një ditë e tillë,
troku i së cilës godet mbi kujtesën tonë,
duke u ndalur jo rastësisht 20 vite më
parë, në ditët e paharruara të nëntorit,
kohë kur Shkodra, ky qytet simbol
i identitetit tonë kulturor e historik,
do të përjetonte thyerjen e barrierave
të vendosura për më se çerek shekulli
nga regjimi totalitar ndaj besimit,
kulturës dhe vetëdijes së një kombi.
Pikërisht në ato ditë nëntori, ishin
besimtarët myslimanë e katolikë, të
cilët falë idealizmit dhe vetëmohimit që
i ka karakterizuar në çdo kohë
vendimtare për fatet e kombit,
organizuan meshën e parë dhe rihapjen e
xhamisë së parë në Shkodër. Një hap i
tillë, në vjeshtën e fundit të
diktaturës komuniste, ishte përtej çdo
përfytyrimi, pasi për vite me radhë,
diktatura ndërmori një represion
jo vetëm ndaj lirisë së individit, por
ngulmoi të shkatërronte një ndër
virtytet më përfaqësuese së qenies
njerëzore, besimin dhe vetëdijen e tij.
Tashmë kur kanë kaluar afro dy dekada
nga ajo ngjarje e shënuar, është momenti
për të nderuar dhe vendosur në
lartësinë që i takon protagonistët e
këtyre ngjarjeve martirët klerikë,
intelektualët e shquar, të cilët
asnjëherë nuk e vendosën veten jashtë
përgjegjësive që u shpaloste koha, por
edhe popullit me tradita të këtij qyteti
që u vetësakrifikua në emër të besimit
dhe të aspiratave të shenjta për liri
dhe demokraci. Ishte pikërisht kjo
shtresë që udhëhoqi principet bazë të
ndërtimit të një sistemi të ri vlerash
humane dhe kombëtare, e përfaqësuar nga
të gjitha besimet të cilët mbrojtën me
vetëmohim të pashembullt fenë dhe
dinjitetin njerëzor, institucionet dhe
kultet e besimit; kishat, xhamitë e
teqetë nga shkatërrimi dhe vandalizmi
komunist, në emër të jetës dhe mos
tjetërsimit.
Me çrrënjosjen e besimit, fushatat për
shembjen e objekteve të kultit dhe
ekzekutimin dhe burgosjen në masë të
klerikëve shqiptarë, regjimi totalitar
synonte ta kthente krejt shoqërinë
shqiptare në një armatë qeniesh pa
identitet. Por koha vërtetoi të
kundërtën. Kultura dhe vetëdija e kombit
shqiptar, triumfoi mbi të pavetëdijshmen.
E përjetshmja arriti të mposhtë
denjësisht të përkohshmen. Dhe do të
krijohej kështu, vala e ndryshimeve e
viteve ’90, një tregues i qartë se me
gjithë përpjekjet e shumta me të gjitha
mënyrat që përdori mekanizmi shtetëror i
diktaturës, i cili vërtetoi faktin se
totalitarizmi mundi të asgjësojë
gjithçka, por kurrsesi besimin në Zot
dhe në zemrat e shqiptarëve. Janë të
paharruara pikërisht ato ditë
drithëruese kur njerëzit komunikonin
nëpërmjet vështrimeve dhe me rrahjet e
zemrave të tyre, në të cilat gjallonte
besimi dhe forca për mbijetesë, kur
bashkëpunimi i djelmoshave të rinj
katolikë e myslimanë, pa asnjë kompleks,
organizuan meshën e parë në varrezat
katolike dhe predikimin e parë të
xhumasë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër,
ku morën pjesë mbi 55 000 vetë. Ky do të
ishte mesazhi i parë i madh që jepte
populli dhe rinia shkodrane, një sinjal
i vazhdimësisë së traditës së shkëlqyer
të harmonisë fetare, të bashkëjetesës e
bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.
Të dashur vëllezër e motra, besimtarë e
besimtare, ne jemi sot këtu, në këtë
program solemn me krenarë se kurrë në
historinë tonë shumëshekullore.
Shqipëria sot është anëtare e Aleancës
së Atlantikut të Veriut, Shqipëria sot
është një vend i lirë me qytetarë të
lirë, të cilët fituan të drejtën të
lëvizin lirisht në zonën Shengen, duke
bërë realitet ëndrrën më të vjetër dhe
më të bukur të shqiptarëve, atë slogan
që buroi nga buzët e mbarë shqiptarëve
në sheshet e mbarë vendit: “E duam
Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Jemi sërish ne dëshmitarët dhe
protagonistët e ndryshimeve të
mëdha, që së bashku mundëm të përvijonim
imazhin e një Shqipërie tjetër, të asaj
që po ndryshon çdo ditë, të një
Shqipërie model për bashkëjetesën dhe
harmoninë fetare, tipare këto që janë
ngulitur thellë në ndërgjegjen e kombit
shqiptar dhe që trashëgohen brez pas
brezi, duke u vlerësuar si një ndër
pasuritë më të vyera shpirtërore për
atdheun tonë.
Ne festojmë sot së bashku, me besimin se
e ardhmja e Shqipërisë, dikur vend i
hiperkolektivizimit total, ku të drejtat
dhe liritë e njeriut ishin të ndaluara
me ligj, do të jetë ajo Shqipëri që
projektuan rilindësit dhe mishëruan
plejada e studentëve dhe intelektualëve
të viteve ‘90. Shqipëria që u idealizua
për dekada me radhë në shpirtrat dhe
veprat e pavdekshme të patriotëve tanë
të shquar, një pjesë e së cilëve për t’i
shpëtuar përndjekjes dhe
persekucionit vdiqën jashtë atdheut të
tyre, është pikërisht ai realitet që ne
jetojmë dhe prekim çdo çast, një oaz i
paqes dhe harmonisë fetare, një gjymtyrë
e pandashme e kulturës dhe qytetërimit
evropian.
Qeveria jonë ka bërë e po bën çdo
përpjekje për të ndihmuar e mbështetur
punën dhe veprimtaritë e bashkësive
fetare në vend, ku veçanërisht këto liri
e të drejta themelore, besimi dhe
respekti për fenë dhe kultet, garantohet
nga shteti ligjor dhe respektohet nga të
gjithë institucionet e tij, duke u bërë
një shembull unikal në botë, për vlerat
humane dhe religjioze që transmetojmë
përtej. Qeveria shqiptare tashmë ka
nënshkruar një marrëveshje të posaçme në
këtë drejtim, e cila po zbatohet me
sukses, po kështu një faktor tjetër
ndikues është edhe Ligji për Financimin
e këtyre bashkësive, ndërkohë që në të
ardhmen nuk do të mungojë përkrahja dhe
mbështetja e shumanshme, duke ndihmuar
jo vetëm financiarisht, por edhe në
forma të tjera që koha do të na
parashtrojë në të ardhmen.
Duke përfituar nga rasti, më lejoni të
theksoj faktin se ne shqiptarët kemi një
pasuri shumë të çmuar, pluralizmin fetar
dhe bashkekzistencën në paqe e harmoni
midis njerëzve të besimeve të ndryshme.
Është detyra e shtetit t’i mbrojë dhe
t’i zhvillojë më tej këto vlera, duke u
krijuar besimtarëve dhe bashkësive
fetare kushtet për të ushtruar me
dinjitet misionin për edukimin e brezave,
me fjalën e shenjtë dhe besimin tek Zoti.
Më lejoni edhe një herë t’ju përshëndes
dhe t’ju uroj mbarësi e suksese për atë
që keni bërë e bëni në shërbim të
besimeve fetare, të shoqërisë dhe të
mbarë kombit shqiptar.Zoti e bekoftë
Shqipërinë!”